Ndryshim plani, Reali kërkon rinovimin me portierin Navas

Në këtë merkato vere, Real Madrid është padyshim një nga protagonistët kryesorë, nga ku nuk bën përjashtim as portieri Keylor Navas. Duket se teatri dhe estrada e klubit madrilen me portierin do të vijojë edhe më gjatë. Pavarësisht se ka qenë titullari i padiskutueshëm në portën e Real Madrid duke kontribuar në tre trofetë e Champions League të fituar në tre edicionet e fundit të njëpasnjëshme, drejtuesit e Galaktikëve nuk janë mjaftuar kurrë. Përkundrazi, në çdo dritare të merkatos, tentativa për gjetjen e një portieri tjetër ka qenë në qendër të synimeve, por me tratativa gjithmonë të dështuara, fillimisht me De Gea, Donnarumma e tashmë duket se të njëjtin fat do të ketë tentative me Courotis.
Dhe si gjithmonë në vitet e fundit, në pamundësi për të shënjestruar dhe finalizuar blerjen e një portieri tjetër, Real Madrid edhe në këtë merkato është rikthyer te Navas. Të paktën kështu raportohet nga Kosta Rika, aty mediat informojnë se klubi ka njoftuar portierin për qëllimet e rinovimit të kontratës. Vetë Keylor ka oferta për tu larguar nga Madrid, por sikurse ka dëshmuar edhe më parë, opsioni i parë për atë mbetet Reali. Sipas raportimeve të “La Nacion” ardhja e trajnerit Julen Lopetegui nuk do të reflektojë asnjë problem mbi pozitat e portierit, aq më shumë kur ka qenë pikërisht Lopetegui, ai që ka tentuar të blejë Navas, në kohën kur tekniku drejtonte Porton. Navas, 31-vjeçar ka ende dy vite kontratë me “Los Blancos” dhe mund të zgjasë kontratën edhe për dy sezone të tjera.