Mourinho vijon sulmin ndaj Pogba: “Nëse dështon me United nuk është faji im…!”

“Nuk ka nisur ende sezoni, por ai nuk do t’ja dijë. Kapet që tani me futbollistët pa asnjë motiv”. Është ky komenti plot keqardhje i tifozëve të Manchester United si reagim ndaj intervistës së trajnerit të “Djajve të Kuq”, Jose Mourinho, dhënë për ‘ESPN’. Futbollisti me të cilin është kapur sërish, nuk mund të jetë tjetër veçse i përhershmi Paul Pogba. Tani duket se shkëndija mes të dyve nuk është ndezur kurrë dhe natyrshëm që çdo rast është idal për “Special One”, që të thumbojë mesfushorin francez. Kësaj here sulmi i portugezit shënjestron dy cilësi që sipas Mou, nuk zotërohen nga Pogba. Vijueshmëria dhe përqendrimi.
Portugezi e shpjegon duke marrë në analizë performancën mbresëlënëse të Pogba në Kupën e Botës, aty ku ish-juventini ishte padyshim mes më të mirëve për formacionin e “Gjelave”, aq sa për të kontribuar në fitimin e trofeut më të lakmuar në botë. Pse në atë Botëror, u duk një tjetër Pogba në krahasim me atë të dy viteve të fundit në “Old Trafford”? Sipas Mourinho, faji nuk mund të jetë i askujt tjetër veçse i vetë futbollistit. “Nuk besoj se është një çështje që ne të nxjerrim më të mirën e Pogba, më saktë mendoj se është ai që duhet të japë gjithçka që ka”. Kështu, trajneri nuk merr mbi vete përgjegjësitë për paraqitjet jo të shkëlqyera të futbollistit francez me fanellën e “Djajve të Kuq”.
“Besoj se Botërori është habitati perfekt për një futbollist si ai, që të japë maksimumin. Është i izoluar në grumbullim për një muaj dhe nuk mund të mendojë për asgjë tjetër veçse për futboll. Në fushë, i izoluar nga bota, mund të përqendrohet vetëm te topi, çka vetëm sa mund ta motivojë. Ndërsa gjatë kampionatit ka vetëm një ndeshje të thjeshtë, më pas një ndeshje të fortë, më pas tetë ndeshje të lehta dhe humbet përqendrimin”, deklaroi Mourinho.