“Lumë” kërcënimesh për dy lojtarët e Kolumbisë që humbën penalltitë

Kolumbianët kanë bërë thirrje për qetësi natën e kaluar, pasi dy lojtarët që humbën mundësinë të shënonin gol nga 11 metrat kundër Anglisë morën ofendime e deri në kërcënime me vdekje nga tifozë të irrituar në rrjetet sociale.
Mesazhe tejet të ashpra që shënjestronin Mateus Uribe dhe Carlos Baccan nisën të shfaqeshin brenda pak minutave pasi Kolumbia u eliminua nga Kupa e Botës, pas ekzekutimit të penalltive.
Goditja e Uribes u ndal nga traversa, ndërsa ajo e Baccas u shpëtua nga portieri i Anglisë, heroi i ndeshjes Pickford.
Postimet e pazakonta, shumica e të cilave kundër Baccas, pasi humbja e tij u vlerësua si “më e keqja”, paralajmëronin futbollistët se do të ishin të vdekur, e madje edhe u bënin thirrje të vetëvriteshin, nëse do të ktheheshin në vendin e Amerikës Jugore.
Mesazhet kërcënuese u bënë pavarësisht hetimit policor ndaj kërcënimeve të mëhershme për vdekje ndaj lojtarit kolumbian, Carlos Sanchez, i cili u largua me karton të kuq pas vetëm 3 minutash në ndeshjen hapëse kundër Japonisë.
Shumë tifozë të apasionuar, gjithsesi shfrytëzuan rastin të kujtonin se dje ishte 24-vjetori i vdekjes së Andres Escobar, një mbrojtës kolumbian që u qëllua për vdekje pasi shënoi një autogol që eliminoi Kolumbinë nga Kupa e Botës së vitit 1994 në Shtetet e Bashkuara.

Shpërthen Maradona: Kolumbia u grabit nga një arbitër hajdut
Diego Armando Maradona nuk ndryshon kurrë dhe as ka ndërmend ta bëjë. Botërori i Rusisë për të nuk ka përfunduar me eliminimin e Argjentinës nga Franca.
E pasi humbi Messin me shokë, Diego u transformua në një tifoz të Kolumbisë, edhe kjo e eliminuar një natë më parë në 1/8-at e finaleve nga Anglia, pas gjuajtjes së 11-metërshave.
Një eliminim ky që shkaktoi irritimin e Maradonës, si gjithmonë, por këtë herë tej limiteve të parashikuara. Zemërimi i “El Pibe de Oro”-s erdhi mbi të gjitha nga penalltia e kontestueshme që iu akordua anglezëve për të zhbllokuar rezultatin.
Në shënjestrën e legjendës së futbollit argjentinas përfundoi arbitri amerikan, Geiger, i cili dha penalltinë në favor të Kane; por edhe FIFA, një armike e betuar dhe historike e ish-yllit të Napolit të viteve ’90.
“Kolumbia pësoi një grabitje monumentale. Arbitri Geiger, një gjyqtar amerikan, ndoshta mund t’i njohë mirë rregullat e bejzbollit, por jo aq edhe ato të futbollit. Ai është një hajdut! Ndërhyrjen e gabuar faktikisht e shkaktoi Kane, por ai dha penallti kundër kolumbianëve, të cilët humbën pa pasur asnjë faj. Përse nuk kërkuan ndërhyrjen e VAR-it?”, pyet në fund të sulmit të tij të ashpër Maradona.
Barazimi i Kolumbisë në fundin e takimit nuk e frenoi aspak irritimin e legjendës, i cili gjatë transmetimit të emisionit “De la mano del Diez” shtoi edhe më shumë.
“I duhet kërkuar falje popullit kolumbian. Arbitrat i përzgjedh Collina, i cili është nominuar nga Infantino, me këtë të fundit që duhej të çlironte FIFA-n nga korrupsioni dhe nga hajdutët. Por, në këtë ndeshje kemi parë krejt të kundërtën. FIFA është ende ajo e vjetra dhe e trukuara. Më dolën lotë kur më premtoi se do ta çlironte FIFA-n nga kalbësirat, por jo”.