Kush është këngëtari i njohur shqiptar mes 4 të arrestuarve për 7 kg kokainë në Itali

Midis shqiptarëve të shumtë të arrestuar në Itali për trafik kokaine në zona të shumta në Emilia Romagna, Toscana, Lombardia dhe Sicili, është edhe një këngëtar, i njohur si Defri. Dëfrim Dervishi është midis 4 shqiptarëve të arrestuar me të njëjtin mbiemër, ndërsa në listë janë edhe shumë të tjerë.
Organizata ishte e strukturuar në mënyrë piramidale dhe lidhje të forta me dhunën, ndërsa në përbërje kishte 5 qytetarë shqiptarë, përkatësisht Defrim, Enver, Haxhi dhe Besnik Dervishi dhe Klodian Alushku, të cilët vepronin në krahinat e Pizës dhe Firences.
Ata furnizoheshin me sasi të konsiderueshme kokaine nga Holanda, duke përdorur një rrjet korrierësh, përfshirë edhe shqiptarin tjetër Olsi Ivziku.
Grupi blinde lëndën narkotike për rreth 35 mijë euro kilogrami, ndërsa shitej për 80 deri në 120 euro grami tek konsumatorët përfundimtar.
Nga 1 kg kokainë e pastër, nëse ajo “pritej” mirë mund të shkonte deri në 4 kg e gjysmë, duke shitur mesatarisht 80 euro për gram, fitimet ishin shumë të larta.
Gjatë gjithë aktivitetit hetimor, janë kryer konfiskime të ndryshme të drogës, me një shumë totale prej 7 kilogramë kokainë. Gjatë kërkimeve mëngjesin e sotëm, janë gjetur edhe 28,000 euro cash.