Italia është rikthyer…!

Italia, vendi që dominonte futbollin europian në vitet ’60 (Inter dhe Milan) dhe ‘80 (Milan dhe Juventus), është kthyer. Hierarkia e saj në futbollin kontinental pësoi rënie gjatë dekadës së kaluar, por tashmë ka marrë “fluturimin” dhe sot është në krye të ligave të mëdha europiane, që rivalizon Premier League në aspektin e parave të investuara në blerje lojtarësh.
Për sezonin 2018-2019, anglezët kanë shpenzuar 935 milionë euro, ndërsa italianët 875 milionë euro. Spanja i shikon ato nga larg, me 527 milionë euro. Këto janë vlerësime se si po lëviz merkatoja, por jo shifra definitive. Ne duhet të vlerësojmë që, nëse Premier League dhe Seria A janë më në avancë me kohën e nënshkrimeve, ato janë të kushtëzuara, sepse afati i tregjeve të tyre, gjithashtu, mbyllet më parë.
Merkatoja në Angli mbyllet më 9 gusht; ndërsa ajo në Itali më 19 gusht. Për klubet e Spanjës, Gjermanisë dhe Francës, ky afat ka limit datën 31 gusht. Në fakt, është Juventusi, skuadra që po e tërheq “makinën” e Italisë në merkaton e kësaj vere. Kampionët italianë kanë bërë tri transferimet më të shtrenjta në Seria A: Ronaldo (117 milionë euro), Cancelo (40.4 milionë) dhe Douglas Costa (40 milionë).

Klubi bardhezi është ai që ka investuar më shumë para në Europë, 212 milionë euro. Më shumë se çdo klub britanik, lista e të cilëve në këtë merkato udhëhiqet nga Liverpool, me 182 milionë euro. Italia është vendi i vetëm, ku dy klube kanë tejkaluar shifrën e 100 milionë eurove investim në merkaton e verës së këtij viti: Juventusi (212,9 milionë euro) dhe Roma (133.4 milionë).
Për ata që mendojnë se në Itali janë çmendur në këtë drejtim, një studim nga firma konsulente KPMG thotë se është e mundur që Juventusi, në dy, ose tri vite të ketë shpenzuar 340 milionë euro për CR7 (nënshkrimi dhe pagat).
Interesante është ajo që po ndodh në Bundesliga, ku Bayern Munich ende nuk ka shpenzuar një euro të vetme, ndërsa ka përfituar 40 milionë nga shitja e Douglas Costa. Franca është, gjithashtu, një tjetër merkato gjumi… Shpenzimi i vjetshëm prej 314 milionë euro është fryrë nga 135 milionët e nënshkrimit të Mbappé, teksa PSG ka paguar për të anashkaluar pasojat e “fair play financiar” të FIFA-s.