Ibra i bashkohet Manchester United në trajnim dhe bën parashikime të forta

LA Galaxy po mirëpret skuadrën e Jose Mourinhos, e cila do të përballet me AC Milan në Kupën e Kampionëve Ndërkombëtarë, të enjten. Dhe Ibrahimoviç, 36 vjeç, shfrytëzoi shansin që të ketë një takim me shokët e tij të vjetër. Ish-lojtar edhe i AC Milan bëri shaka me ish-bashkëlojtarët në “Old Trafford”, duke u thënë atyre se tashmë nuk janë aq të mirë si ekip sa me të në përbërje, por më tej u bë serioz dhe parashikoi një sezon të mirë përpara “Djajve të Kuq”.
“Përshëndetje të gjithëve, kënaqësi që ju takoj. Shikoj cilësi te Manchester United, por jo sa kur isha unë! Është mirë për t’i parë e takuar djemtë. Kënaqësi për t’i parë ata të lumtur dhe të trajnuar mirë. Jini gati për sezonin e ri, sepse do të ndodhë diçka e veçantë. Shefi (Mourinho) ka nën kontroll diçka, që po ndodh. Pra, të gjitha të mirat për këtë sezon dhe të jeni sa më të gëzuar”, – u shpreh gjigandi suedez.
Ibrahimovic, gjithashtu, i dërgoi një mesazh publikut amerikan, duke i bërë thirrje që ta shikojnë përplasjen mes dy ish-klubeve të tij: “Mos harroni ndeshjen të mërkurën, Manchester United-Milan, dy nga ish-ekipet e mia. Do të jetë një shfaqje e madhe. Unë dëshiroj që të mund të jem atje, prandaj sigurohuni që ta shihni atë, ose të dini se çfarë ndodh”.
Zlatan Ibrahimoviç shënoi 29 gola në 53 ndeshje për Manchester United, përpara se të transferohej në MLS. Te LA Galaxy, ai e ka gjetur rrjetën 12 herë në 15 paraqitje, duke përfshirë një gol spektakolar në debutimin e tij.
I pyetur nëse e kishte ndryshuar kulturën e futbollit në SHBA, Ibra tha: “Nuk e di nëse e ndryshova atë, thjesht vazhdoj të bëj punën time. Amerikanët janë me fat që nuk erdha dhjetë vjet më parë, sepse do të isha president sot!”