Fundi i Drejtësisë, ligji i ri kthen partinë-shtet që do të vendosë për arrestimet në Parlament

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka aktivizuar sërish një propozim të qeverisë, i cili parashikon që autorizimi për arrestimin e deputetëve do të jepet vetëm pasi Parlamenti të shqyrtojë paraprakisht provat e prokurorisë ndaj tyre.
Në këtë mënyrë, maxhoranca synon të legjitimojë shkeljen e rëndë kushtetetuese, të cilën realizoi gjatë shqyrtimit të kërkesës për autorizimin për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm dhe ish-deputetit Saimir Tahiri, në tetor 2017.
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, e denoncoi këtë lëvizje anti-kushtetuese dhe anti-Reformës në Drejtësi gjatë një dalje publike mesditën e së Shtunës.
Po çfarë synon ky amendim i Kushtetutës dhe përse i duhet qeverisë ta aplikojë këtë normë, e cila bie tërësisht në kundërshtim me frymën e shtetit ligjor?
Në bazë të parashikimeve aktuale kushtetuese, në rastet kur organi i hetimit vlerëson se një deputet duhet arrestuar, prokuroria i kërkon paraprakisht autorizimin Parlamentit. Ky i fundit shqyrton kërkesën vetëm për të vlerësuar nëse në kërkesën e prokurorisë ka synime të natyrës politike.
Ky parashikim kushtetues, në fakt është një lloj garancie për deputetët e opozitës, të cilët të mbrohen nga autoriteti i maxhorancës politike. Pra, ky ka qenë qëllimi i ligjvënësit, kur ka parashikuar në Kushtetutë që arrestimi i deputetit të paraprihet nga marrja e autorizimit nga Parlamenti.

Kjo normë kushtetese në fuqi nuk parashikon në asnjë gërmë të saj që Parlamenti të marrë rolin e gjykatës dhe të vlerësojë provat e prokurorisë. Sipas parashikimeve kushtetuese dhe në Kodin e Procedurës Penale, provat e prokurorisë vlerësohen vetëm nga gjykata.
Por, përtej këtyre parashikimeve kushtetuese dhe ligjore, maxhoranca vendosi të merrte rolin e gjykatës, kur shqyrtoi kërkesën e prokurorisë për dhënien e autorizimit për arrestimin e Saimir Tahirit. Shumëkujt i kujtohen seancat groteske të zhvilluara në Komisionin e Imuniteteve dhe Mandateve, kur deputetët e maxhorancës morën në shqyrtim provat e deriatëhershme të Prokurorisë për Krime të Rënda dhe vendosën, po si gjykatë, që ato fakte të paraqitura nuk përbënin shkak për arrestimin e Saimir Tahirit.
Rasti “Tahiri” shënoi një regres domethënës në jetën politike dhe në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Partnerët ndërkombëtar që asistuan në Reformën në Drejtësi, synonin që pikërisht politikanët e lartë të humbisnin çdo mbrojtje politike, në rastet kur ata përballeshin me akuza penale, sidomos të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Megjithatë, edhe kur ky aspekt i Reformës në Drejtësi, ndër të paktët elementë të mirëpritur nga i gjithë faktori politik në Shqipëri, u shkel nga maxhoranca, partnerët e rëndësishëm ndërkombëtarë me seli në Tiranë nuk folën asnjë fjalë.
Madje, disa prej tyre dolën edhe në mbrojtje të Saimir Tahirit, duke folur, me gjuhën e maxhorancës, se ndaj tij nuk kishte prova.
Gjithësesi, përtej mbështetjes që qeveria Rama mori për rastin “Tahiri” nga dyshja ambasadoriale Lu-Vlahutin, kjo sjellje anti-kushtetuese dhe anti-ligjore e maxhorancës jo vetëm që nuk u kalua pa vëmendjen e duhur nga Bashkimi Europian por, përkundrazi, shërbeu si një prej shkaqeve që Shqipërisë t’i shtyhej me një vit afati për diskutimin mbi hapjen ose jo të negociatave me Bashkimin Europian.

Por, pavarësisht këtij konkteksti politik dhe diplomatik, maxhoranca ka vendosur që ta çojë deri në fund nismën e saj. Ajo po synon që precedentin negativ me rastin “Tahiri”, tashmë ta legjitimojë, duke vendosur që të shndërrojë Parlamentin me ligj në gjykatë, në rastet kur kërkohet autorizimi për arrestimin e deputetëve.
Pasi kontrollon me forcë pushtetin ekzekutiv dhe legjislativ, pas diktatit që ka vendosur mbi sistemin e drejtësisë, tashmë Edi Rama dhe qeveria e tij synon të konsolidojnë, për çdo të papritur, kontrollin mbi provat e prokurorisë në rastet kur kërkohet arrestimi i deputetëve dhe ministrave.
Sot, Edi Rama është i qetë, pasi me Arta Markun e zgjedhur vetëm me votat e partisë së tij, nuk duket se ekziston asnjë lloj rreziku real për penalizimin e vartësve të tij në qeveri dhe parlament. Por, pas dështimit me negociatata, Edi Rama, për të shmangur një dorëheqje të mundshme të tij, pritet të afrojë kompromise me opozitën.
Një prej këtyre kompromiseve mund të jetë edhe largimi i Arta Markut nga Prokuroria e Përgjithshme, për shkak të akuzave të shpeshta opozitare në adresë të saj gjatë 6-7 muajve që po drejton institucionin e Akuzës. Një largim i pritshëm i Arta Markut dhe vendosja e një Prokurori të Përgjithshëm konsensual, do ta shndërronte maxhorancën e Edi Ramës në një subjekt më të lehtë hetimi për korrupsion dhe lidhjet me krimin e organizuar.
Ndaj, Edi Rama po synon që t’i japë vetes dhe deputetëve e ministrave të tij një garanci të fortë politike përballë hetimeve, para ndryshimeve të mundshme në drejtimin e Prokurorisë.