Durrësi nuk po gjen qetësi, sërish lëkundje tërmeti

Toka në Durrës nuk po gjen dot qetësi. Pas lëkundjes së fundit të raportuar rreth orës 18.36, me manjitudë 3.9, në fshatin Hamallaj, një tjetër tërmet është regjistruar, këtë herë në detin Adriatik, 18 km në perëndim të Gjirit të Lalzit.
Lëkundja më e fundit ka qenë më e lehtë sesa të tjerat, me manjitudë 2.7 dhe ka ndodhur në orën 19.11 të së mërkurës.
Sipas sizmiologëve, këto lëkundje më të lehta janë normale, sepse pasojnë lëkundjen kryesore të regjistruar rreth orës 11.00, e që shkaktoi panik mes qytetarëve në qytetet e Durrësit dhe Tiranës, por edhe në rajone të tjera të vendit.
Autoritetet njoftuan se lëkundjet e tërmetit të regjistruara përgjatë ditës së sotme kanë shkaktuar dëme në disa ndërtesa, por fatmirëisht nuk ka persona të lënduar.
Në Hamallaj ku ishte epiqendra e tërmetit dhe në Manzë disa shtëpi kanë pësuar krisje në mure, ndërsa dëme janë shkaktuar edhe në një supermarket në lagjen nr.17 Durrës.
Lëkundje të forta kanë shkundur Shqipërinë ditën e sotme, ku epiqendra e tërmetit ishte në Gjirin e Lalzit me një magnitutë 6 ballë.
Lëkundjet e forta u ndjenë në disa qytete të Shqipërisë, si në Tiranë, Durrës, Elbasan, Vlorë.
Ndërkohë, kujtojmë se një vit më parë kur Shqipëria u përfshi nga zjarret e shumta, kreu i Emergjencave Civile, Shemri Prençi, gjatë një konferencë për shtyp, paralajmëroi se pas zjarreve vendi rrezikon tërmete si ato të vitit 1967.
Ai u shpreh se “pas një vere të nxehtë lind një problem i rrezikshëm… së pari do të kemi parasysh që periudha e ripërsëritjeve të tërmeteve është me kohë dhe limite të përcaktuara. Duke llogaritur tërmetet e vitit 67 në periudhën e kthimit një herë në 50 vite, ne përkojmë me rrezikshmërinë e lartë të tërmeteve në Shqipëri në të dy korridoret Elbasan, Tiranë, Shkodër, Dibër, Korçë etj”.