Cila bankë po kërkon të kreditojë kullat mbi Teatër?

Kryetari i PD, Basha paralajmëroi sot një Bankë e cila planifikohet nga qeveria dhe firma Fusha të investojë tek projekti i shembjes së Teatrit që të mos bëhet pjesë e kësaj afere.
“Ky paralajmërim vlen edhe për ndonjë bankë që mendon se mund të investojë në këtë projekt, ndonëse kam bindjen se paratë janë paratë e toyotave yaris apo makinave të Spanjës Seat. Paralajmëron çdo entitet financiar që do të përfshihet në këtë çështje se do të trajtohet si subjekt i Ligjit Antimafia.
I bëj gjithashtu thirrje çdo qytetari: Hap sytë e mos fut asnjë cent në këtë projekt, sepse do të mbetet me gisht në gojë.
Akti i kalimit të ligjit është shpallje e luftës ndaj interesit publik, është shpallje lufte ndaj Kushtetutës, është shpallje lufte ndaj pronës publike, është shpallje lufte ndaj kulturës dhe trashëgimisë kulturore.”, tha Basha
Përse themi se është një aferë mafioze?
Do t’ju them shkurt fare disa fakte në mënyrë të përmbledhur që janë pasqyruar edhe përmes konferencave për shtyp që kanë bërë përfaqësuesit tanë.
Fakti i parë – Në 2013-ën, sapo u bë kryeministër gjëja e parë që bëri Edi Rama, regulloi kryeministrinë. S’e kam fjalën vetëm për marchesen e për gjërat që bëri. Kostoja e shndërrimit të Kryeministrisë në një pallat luksoz me salltanete, me restorant privat, me sallë masazhi, gjimnastike, etj, pra, kostoja totale e këtij rinovimi u denoncua atëherë të kishte një vlerë prej afro 5 milionë euro.
Ne si opozitë i kërkuam të na tregojë se si i bëri këto punë.
Ku ishin dokumentat e tenderit, me çfarë fondesh u bënë, dhe e mbani mend, nuk dha asnjë përgjigje, se këto punime u kryen nga kompania Fusha shpk, e cila pas këtij momenti ka marrë 80 milionë euro tendera publikë nga Edi Rama dhe Rilindja. 80 milionë euro, si edhe një koncesion 125 milionë euro. Ky është fakti i parë.

Fakti i dytë – Në shkurt 2016 Edi Rama përgjysmoi me vendim qeverie, çmimin e vlerës së truallit nga 1 milionë e 200 mijë lek për m2, që ishte në 2012-ën, e çoi në 670 mijë lek për m2. Në mars 2016 “Fusha” u bë pronar i 298 m2 pranë zonës së Teatrit.
Fakti i tretë përse kemi të bëjmë me një aferë mafioze – Në vitin 2000 Teatri ju e dini ka qenë pjesë e Ansamblit Monumental siç është dhe e konfirmon Europa Nostra. Më 12 prill 2017, në kohën që opozita protestonte për zgjedhje të lira dhe kundër qeverisë së kapur nga narko-mafia, më 12 prill 2017 e ka hequr Teatrin nga zona e mbrojtur.
Fakti i katërt – Më 14 prill 2017, plani i përgjithshëm vendor, i kaluar dy ditë më vonë, e la të hapur shfrytëzimin e territorit në zonën e teatrit, në mënyrë që ta vendoste Edi Rama se sa beton do të hidhej, sa kate e sa kulla do të ndërtoheshin. Për zonat e tjera plani përcakton kate dhe koeficiente të përcaktuar për të gjithë territorin e Tiranës. Fakti i pestë -Harta që ju kemi shpërndarë zbulon edhe mashtrimin tjetër se prona e marrë në fund të 2016-ës nga “Fusha”, nuk është kufitare me Teatrin siç pretendohet në ligj për të justifikuar grabitjen e 8 mijë 500 m2 tokë publike. Nuk është kufitare.
Këto ditë kam bashkëbiseduar me një numër të madh jo thjesht njerëz të angazhuar politikisht, deputetë të Partisë Demokratike, përfaqësues politik që e kanë ndjekur këtë çështje por dhe me njerëz të tjerë të angazhuar, njerëz publikë, intelektualë, artistë, që kanë ndjekur me vëmendje disa prej shqetësimeve të shprehura publikisht.
Dua ta deklaroj sot prerë dhe qartë. Partia Demokratike ka qenë, është dhe do të jetë deri në fund kundër shembjes së Teatrit. Pra, për ruajten dhe restaurimin e godinës si një vlerë e rrallë e trashëgimisë tonë kulturore.
Ato fotografitë që boton, që çojnë në darkë horrat e policisë bashkiake për të kapur vrima në muret e vjetra dhe të pamirëmbajtura të teatrit për t’i botuar, dua t’i kujtoj këtij kryetalebani se qendrat e qyteteve evropiane u rrafshuan gjatë luftës së dytë botërore dhe u ringritën prapë – në bazë të fotografive – siç ishin, për të mbajtur gjallë trashëgiminë kulturore. Po përmend
vetëm një qytet: Varshavën, por janë dhjetëra qendra qytetesh ku u rrafshua gjithçka, por u ringrit sërish. Pra, kjo është një alibi

prej injoranti ose që do t’i trajtojë shqiptarët si injorantë, sepse edhe kur larg qoftë tërmeti apo lufta rrafshon një vlerë të trashëgimisë kulturore, detyra kryesore e shoqërisë, e vendit, përmes qeverisë, është ta rindërtojë atë. Por qartësisht këta gjejnë çdo sebep të rremë për të justifikuar dhe për të çuar deri në fund aferën mafioze që kanë planifikuar.
Edhe njëherë dua ta bëj fare të qartë:
1. Partia Demokratike ka qenë, është dhe do të jetë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar si një vlerë e patjetërsueshme e trashëgimisë tonë kulturore.
2. Partia Demokratike e konsideron aferën legjislative Ligjin Special për Teatrin Kombëtar, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, si një atentat me pasoja fatale për liritë, pronat dhe shëndetin e qytetarëve, si një akt që ndan një demokraci me shtet ligjor nga një diktaturë, tashmë joideologjike, por e krimit dhe e aferave kriminale. Kjo do të thotë që nëse në analizën e fundit, që pas ezaurimit të të gjitha hapave legjislativë që kanë të bëjnë me dekretimin apo mosdekretimin, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese këmbëngulet të ecet në këtë drejtim, popullit i lind e drejta të rezistojë me të gjitha format dhe mënyrat, jo thjesht për të mbrojtur teatrin, por për të parandaluar që nesër fati i teatrit t’u vijë në oborrin e shtëpisë së tyre, në shkollën e fëmijëve të tyre, në vendin e tyre të punës, në pronën e tyre dhe në liritë e tyre.
3. Kam paralajmëruar Bjarke Ingels se do të shpallet dhe do të trajtohet non-grata nga qytetarët, komuniteti artistik dhe nga opozita shqiptare. Sot duhet t’i jap një paralajmërim të qartë “Fusha shpk-së” dhe çdo kompanie tjetër që do të bëhet vegël përmes PPP-ve, tenderave dhe koncesioneve, në procesin e grabitjes së pasurive publike të shqiptarëve: nuk ka asnjë shans të gëzoni frutet e një ndërmarrjeje të tillë kriminale. Asnjë shans! Çdo veprim i Fusha shpk-së dhe i çdo entiteti tjetër, do të jetë subjekt i një ligji të amenduar antimafia; do t’ju fillojmë që ditën e parë të biznesit dhe në bazë të ligjit antimafia do t’ju sekuestrojmë çdo centimetër katror dhe çdo cent euro për shkeljet që do t’ju konstatojmë. Sikundër, nëse guxoni t’i vini minat Teatrit Kombëtar, të jeni të sigurtë, se minat do t’jua vënë edhe kullave tuaja, me ligj!