Berisha: Ligji i magjistraturës ishte ligji i mafies së ardhshme të drejtësisë, Rama tentoi të blejë deputetët e opozitës

Ish-kryeministri Sali Berisha në një postim në Facebook shkruan se mosvotimi i ligjit për magjistraturën ishte një fitore e qytetarëve dhe opozitës.
Sipas ish-Kryeministrit Berisha, ligji i përgatitur nga mazhoranca ishte ai i mafias së ardhshme të drejtësisë, pasi rekrutimet po bëhen nga fondacioni ‘Qemal Stafa’ që ka hapur konkurse për këtë arsye.
Gjithashtu Berisha shkruan se mazhoranca bëri presione, joshi me para droge, disa deputetë të opozitës, por sërish nuk ja doli dot ti blinte për të bërë 84 votat që i duheshin.
Reagimi i plotë i ish-Kryeministrit Berisha
Ligji i magjistraturës ishte ligji i mafies së ardhshme të drejtësisë!
Të dashur miq, mazhoranca e drogës, blerjes së votës dhe krimit të narkoshtetit dështoi në mënyrë spektakolare në miratimin e ligjit për shkollën e magjistraturës.
Ajo përdori joshje e presione, oferta të pista, shuma marramendëse të parave të drogës dhe krimit për të siguruar 84 votat për kalimin e ligjit te saj, por dështoi!
Kjo ishte një fitore e vërtetë për qytetaret shqiptarë, se pari sepse:

– Ky ligj ishte ligji i mafies së ardhshme të drejtësisë. Te rekrutimi, sipas këtij ligji do bëhej bazuar në kriteret e mafies nga celula e kuqe e narkoshtetit në shkollen e magjistratutës. Lista ishte bërë gati me pinjollë të narkofunksionarëve, narkogjykatësve, narkoprokurorëve dhe kriminelëve të tjerë të partisë siçiliste.
– Ligji, siç faktojnë dokumente të pakundërshtueshme dhe origjinale të publikuara në media, shndërronte shkollën e magjistraturës tashme shkolle partie në një aneks te fondacionit ‘Qemal Stafa’, i cili ne faqen e tij zyrtare ka hapur konkurse për rekrutimin e shërbëtorëve besnik të partisë për sistemin e drejtësisë.
– Për dijeni të lexuesve, mazhoranca e drogës, krimit dhe blerjes së votës, në një përpjekje të ulët të denje për moralin e vet, përdori këtë ligj si levë për të përçarë opozitën, por mori dështimin.
– Ajo, pasi dështoi me ofertat e pista dhe presioneve banditeske ndaj deputetëve të veçantë, ofroi kuota partiake partive opozitare për gjykatës dhe prokurorë të ardhshëm të ‘pavarur’ duke dëshmuar edhe një herë se reforma Oruelliane e drejtësisë është e bazuar kryekëput në korrupsionin dhe pazaret mafioze të mazhorancës së krimit.