Berisha: Basha ka përballuar një presion botëror të pandershëm, Lu e Vlahutin, dy guvernatorë të dështuar

Ish-Kryeministri Sali Berisha, duke folur mbrëmjen e sotme përballë gazetarëve Preç Zogaj dhe Lorenc Vangjeli është shprehur se Donald Lu e Romana Vlahutin kanë përjashtuar kreun e opozitës nga konsensusi.
Duke folur në studion e RTSH-së, ish-kryeministri është shprehur se ‘dy guvernatorët’ hiqnin kufjet kur një gjyqtar dilte kundër propozimeve të qeverisë për drejtësinë.
“Opozita i bëri shërbim të jashtëzakonshëm vendit, duke luftuar për të shpëtuar drejtësinë nga kapja.
Që në fillim Edi Rama me dy ‘guvernatorët’ Lu dhe Vllahutin. Edhe Hahn që erdhi për të mbështetur me të gjithë forcën e tij Ramën, lëshoi fjalën se ‘reforma në drejtësi përfundon dizastër’.
Po të shihni 13 kushtet, janë të gjitha kushte të opozitës.
Rama dhe dy guvernatorët bënë gjithçka që të përjashtojnë opozitën. Kujtoni Vllahutin që thoshte se s’ka nevojë për konsensus. Ata po bënin gjithçka për të futur në sqetull drejtësinë, ne me specialistët më të mirë nga ana tjetër dhe në të gjitha komisionet fituan draftet e ekspertëve tanë.
Kam biseduar me Kryetarin Basha dhe i kam thënë që reformën në drejtësi nuk mund ta kundërshtojmë kurrë por duhet ta mbështesim. Ata e përjashtuan kryetarin e opozitës nga konsensusi dhe dy guvernatorët i dhanë dritën jeshile Ramës që të vazhdonte jashtë konsensusit.
Guvernatori Lu hiqte kufjet kur përfaqësues të gjyqësorit jepnin opinionet e tyre për reformën në drejtësi.
Në mënyrë hilecake ata filluan punën pa ne, ndërkohë që 38 nene të reformës së tyre u rrëzuan herën e parë dhe 12 nene u rrëzuan për herë të dytë.
Kryetari i PD Basha ka përballuar një presion botëror të pandershëm dhe duhet vlerësuar për atë që ka bërë pasi edhe faktorët ndërkombëtar ishin keqinformuar”, u shpreh ish-kryeministri Berisha.

Vettingu një gjueti shtrigash. E larguan gjyqtarin veç se ishte nga Tropoja
Ish-Kryeministri Berisha u shpreh se, vettingu është kthyer në një gjueti shtrigash kundër gjyqtarëve e prokurorëve që janë nga veriu. I ftuar mbrëmjen e sotme në studion e emisionit ‘Java’ në RTSH, ish-kryeministri Berisha është se sot drejtësia është kthyer 4 shekuj pas.
“Kur bën një reformë je i detyruar të parashikosh se çfarë do të ndodhë. Vetingu sot është një proces që po shkatërron drejtësinë në vend.
Drejtësia me dy shkallë, siç është sot në Shqipëri, na ka kthyer 4 shekuj mbrapsht.
Gjykata Kushtetues e është garancia për të frenuar mazhorancën. Në ishim për vetingun, në rradhe të parë të organeve që do bënin vetingun. Mund të kontrolloheshin dy gjykatës në vit për Kushtetuesen apo të Lartën . Sot këta po asgjësojnë drejtësinë pasi nuk ke Gjykatë Kushtetuese e as Gjykatë të Lartë.
Skema aktuale e Vetingut ka bërë Kryeministrin kryegjykatës. Duhet me urgjencë një grup i fuqishëm konstitucionalisësh europianë pasi aktualisht është një kaos i tmerrshëm që ti japin vendit një zgjidhje. Kjo që ka ndodh është katastrofë, apo disastër siç tha Hahn, të cilit në të vërtetë nuk i leverdiste ta thoshte.
Kjo që po ndodh është shkatërrimi përfundimtar i sistemit të drejtësisë. Sot kemi një prokuror të përkohshëm që është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës, sic thotë Freedom House.

Vetingu duhet të kishte si esencë dosjet e shqyrtuara por në të vërtetë deri tani askush nuk është marrë me dosjet.
Ky është një proces gjuetie shtrigash. I thua Tom Ndrecës se të kemi kapur nimin me 0.4 gram kanabis, kur kemi presidentë që thonë se e kanë provuar kanabisin. Kjo është e turpshme.
Kemi rastin e Trezhnjevës, që i thoshin nga i gjete lekët e benzinës që erdhe nga Gjermania. Arsyeja e vetme ishte se është nga Tropoja dhe nuk mund të rrinte në sistemin e drejtësisë”, u shpreh Berisha.
Më tej, ish-Kryeministrin Sali Berisha u shpreh se, Teatri Kombëtar është një kauzë popullore sepse është një çështje e ndërgjegjes.
Duke folur në studion e ‘Java’ në RTSH, ish-Kryeministri është shprehur se turistët në Tiranë nuk po shohin asgjë nga trashëgimia e këtij qyteti.
“Kjo qeveri me 25 milion euro mund të ndërtojë një teatër modern të dytë. Por Teatrin ekzistues mos e prek, është bizhu, trashëgimi, s’duhet prekur pasi i rritet vlera çdo vit. Po mbush 100 vjet dhe shfaqja e 100 vjetorit duhet shfaqur aty. Kjo është luftë ndaj institucioneve kulturore.

Kemi rastet e kinema Partizanit, Republikës, 17 nëntorit të cilët do të nderonin sot para turistëve të huaj.
Sheshi i Tiranës ka qenë si bizhu dhe këta nën shembullin e sheshit të kuq në Moskë e prishën.
Sot ky shesh mbyti bibliotekën dhe godinën e Bashkisë, dhe kam ndjerë dhimbje të madhe për bibliotekën kombëtare.
Fundi i kësaj beteje për teatrin është i lidhur me momentin e përballjes që për mua është rruga e vetme e zgjidhjes për vendosjen e demokracisë në shina.
Teatri Kombëtar është shkak i madh, pasi është çështje ndërgjegje. Teatri është shumë i çmuar dhe Tirana do ti qëndrojë mbrojtjes së Teatrit me çdo çmim.
Vetëm një i sëmurë psikik si ai mund të fuste me procedurë të përshpejtuar ligjin për teatrit në parlament.
Kurrë nuk kam imagjinuar që unë mund të përdorja mazhorancën me një abuzivitet kaq ekstrem vetëm e vetëm për të shtypur një grusht njerëzish që janë gjenia e këtij kombi, ashtu siç janë ata.
Ajo nuk është pronë private e artistëve por Teatri është jeta e tyre”, u shpreh Berisha.