Befason Neymar!

Eliminimi i Brazilit nga Kupa e Botës “Rusi 2018” ka zhgënjyer të gjithë fansat e kombëtares “Selecao”, që edhe pse ishte favoritja kryesore për ta fituar këtë event, tashmë do ta shohë pjesën e mbetur të Botërorit nga shëpia. Protagonisti më i shumëpritur i këtij ekipi ishte sulmuesi Neymar, që më shumë se për golat e realizuara do të mbahet mend për skenat e tij në fushën e lojës, ku rrëzohej thuajse pas çdo kontakti.
Në një postim në faqen e tij zyrtare “Instagram”, sulmuesi i PSG-së shprehet: “Mund të them se ky është momenti më i trishtueshëm i karrierës time. Dhimbja pas eliminimit është shumë e madhe, pasi ne e dimë se i kishim të gjitha mundësitë për t’u kualifikuar dhe për të shkuar më tej, për të bërë historinë. Por nuk ishte dita jonë. Është e vështirë të gjesh forcën për të luajtur sërish futboll, por e di që Zoti do të më ndihmojë të jem sërish i fortë për t’u përballur sërish me këdo”, tha Neymar.
Më tej, sulmuesi brazilian shton: “Dua të falënderoj Zotin edhe pse u mundëm, pasi e di që rruga jote është shumë herë më e mirë se e imja. Jam i lumtur që isha pjesë e kombëtares së Brazilit, jam krenar për gjithçka bëmë në Botëror. E lamë në mes ëndrrën tonë, por ajo ëndërr nuk është shuar as nga mendja dhe as nga zemra jonë”, tha Neymar.

Marcelo zbulon shkakun e humbjes dhe eliminimit të Brazilit
Ëndrra më e keqe për tifozët brazilianë u konfirmua, pasi 5 herë kampionët e botës tashmë janë kthyer në shtëpi. Rezultati i këtij Botërori është më i keq se ai i 4 viteve më parë edhe pse Brazili i këtij viti ishte pretendenti kryesor për të fituar Kupën e Botës. Kombëtarja e Belgjikës fitoi 2-1 ndaj “Selecao”, duke avancuar më tej. “Është vërtet e dhimshme të eliminohesh në këtë mënyrë. Ka qenë një natë e tmerrshme, nuk arrij ta shpjegoj këtë humbje. Ne ishim superiorë në fushë dhe nuk e kuptoj këtë rezultat, pse nuk erdhi fitorja. Por ndodh shpesh që futbolli është i padrejtë “, tha Marcelo.
Më tej, mbrojtësi brazilian shton: “Belgjika luajti vetëm 15 minuta në mënyrë të shkëlqyer, realizoi dy gola dhe fitoi. Ndërsa ne e patëm kontrollin e lojës që në fund të pjesës së parë dhe gjatë gjithë pjesës së dytë. Patëm shumë raste shënimi, por Courtois bëri mrekullinë në disa raste. Mendoj se portieri i Belgjikës ishte lojtari më i mirë, pasi priti shumë gola të sigurtë. Por ky është futbolli, kush shënon më shumë fiton. Të gjithë në luftuam fort si skuadër dhe jemi të zhgënjyer për humbjen, pasi të gjithë e donim këtë finale”, u shpreh Marcelo.

marcelo