Artistët që nuk mbrojnë Teatrin janë bashkëpunëtorë në vjedhje

Nga Ergys MËRTIRI

Situata është aq flagrante sa është për të ulëritur. Po i lemë mënjanë diskutimet banale nëse ka apo nuk ka vlerë godina. Shkeljet e këtij projekti janë për të vënë duart në kokë dhe fakti që artistët qepin gojën dhe i bëjnë hosana pushtetit, tregon në çfarë niveli e kanë ulur veten.
Pikë së pari këmbimi i teatrit me 6 kulla në qendër të Tiranës, në kundërshtim me çdo parim dhe logjikë urbanistike, i pashpjegueshëm me asnjë logjikë tjetër përveç hajdutërisë, është i pafalshëm.
Së dyti, sipas agjencisë BIRN, vlerësimi me të cilin bashkia dhe qeveria po ia japin truallin firmës Fusha është qesharak, 470 euro për metër katror. Jo në këtë zonë, por qindra metra më larg, një metër katror, jo truall, por ndërtim, shitet me mbi 2500 euro metri katror. Këta japin truall me më pak se një të pestën e çmimit të ndërtimit. Të gjithë e dimë se ndërtuesi zakonisht i jep pronarit të tokës në këtë zonë, të paktën 50 përqind të sipërfaqes së ndërtimit. Bëjini pak llogaritë se sa është shifra e parave që shteti po i fal kompanisë në fjalë, duke i dhuruar 8 mijë metra katror në zemër të zemrës së Tiranës!
Së treti, është skandaloze se projekti është bërë pa konkurs, në kundërshtim me ligjin, duke u justifikuar me idenë se nuk po jep fonde pulbike, kur në fakt po jep truall publik. Pra, sipas këtyre marifetçinjve në pushtet, qeveria nuk mund të japë asnjë fond publik pa konkurs, por troje mund të japë sa dhe si ti dojë qefi. Në fakt, me këtë çmim do të turrej çdo kompani për ta fituar këtë projekt.

Një konkurs natyrisht që do ta rriste çmimin pakrahasimisht më shumë. Por jo, qeveria ia jep atij që ka qef, pa u interesuar të rrisë fitimet e veta! Ky shtet nuk ka interes të fitojë. E tmerrshme…
Së katërti, projekti po bëhet me procedurë të përshpejtuar dhe nuk na thotë se pse. Cfarë ngutjeje ka qeveria në miratimin sa më shpejt të këtij projekti? A mund të jetë kultura një çështje emergjence?
Së pesti, projekti bëhet në shkelje të rëndë ligjore, duke e kaluar pronën e bashkisë në varësi të qeverisë, në mënyrë që të bëjë të mundur miratimin e aferës në parlament, pasi bashkia vetë nuk i ka votat. Pra ky shtet, i ndryshon pronësinë sipas qefit një prone publike, vetëm e vetëm që të bëjë të mundur pazarin e vet.
Së gjashti, arrihet deri aty sa bëhet ligj për një marrëveshje me një kompani konkrete! Marrëveshjet gjithmonë duhen bërë konform ligjit. Në këtë rast, bëhet një ligj konform një marrveshjeje! Çmenduri…
Së shtati, teatri aktual është monument kulture i mbrojtur me ligj dhe është e turpshme që ligji shkelet e ndryshohet sipas qefit.
Të gjitha këto janë flagrante dhe mund të ndodhin vetëm në vende që qeverisen sipas tekave të pushtetarëve si Korea e Veriut.
Nëse këta artistë bien dakort që kjo të ndodhë ata meritojnë të konsiderohen gaztorë të Kim Jong Un-it. Nëse nuk kanë turp për këtë që bëjnë aq më keq për ta. Kjo njollë do ti shoqërojë gjithmonë. Aktorë, regjisorë, skenaristë, sa herë që do t’u përmendet emri i tyre, do ketë njerëz që do t’iu kujtojnë pafytyrësinë e tyre në përfshirjen në këtë aferë. Ata kanë shitur jo vetëm historinë e teatrit, duke lejuar këtë maskarallëk, por edhe fytyrën dhe historinë e tyre personale.