A do të largohet ministri? Majko: Largohem nga qeveria dhe nuk votoj shembjen e Teatrit, Rama: Ik!

Majko ka mbajtur një qëndrim dinjitoz duke mos lejuar të shkelë mbi veten dhe të votojë për shembjen e Teatrit dhe kthimit të territorit në kulla për Ramën. Majko ka qenë Kryeministër në kohën që Rama ishte kryebashkiak dhe si Kryeministër në atë kohë nuk pranoi kërkesën e Ramës për të shembur Teatrin. Duket se inatet e vjetra janë kthyer sërish mes Ramës dhe Majkos në votimin e mbrëmshëm në Parlament, ku Majko i është kundërpërgjigjur Ramës se ishte i gatshëm të largohej nga qeveria dhe të mos votonte ligjin për Teatrin.
Pyetja që shtrohet tani është se çfarë do të ndodhë mes Ramës dhe Majkos? A do të largohet Majko nga qeveria?
Kanë bërë menjëherë xhiron e portaleve dhe rrjeteve sociale pamjet e një videoje 2 minuta e gjysmë të një përplasjeje mes kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Diasporës, Pandeli Majko. Ky i fundit nuk ka qenë dakord me projektligjin që i hap rrugë shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar dhe këtë e deklaruar publikisht në të kaluarën.
Kohët e fundit kishte heshtur, por duket se e enjtja e 5 korrikut ka derdhur pikën e fundit në gotën e pakënaqësive që Majko ka mbledhur. Ministri nuk ka pranuar të bëhet pjesë e tufës duke ngritur verbërisht kartonin jeshil.
Dukshëm i nervozuar Rama i drejtohet ministrit me fjalët: “Ik! Pse rri akoma? Ik te Teatri!” Majko nga ana e tij përsërit disa herë fjalët: “Që nesër!”
A është ky një paralajmërim për ndryshime të menjëhershme në qeveri. Majko e shfaqi pakënaqësinë e tij edhe pak javë më parë kur deputetët e grupit të tij parlamentar i rrëzuan një propozim për ministrinë që ai drejton. Edhe në atë kohë Majko la sallën i nervozuar. Krisja është e dukshme. Tashmë mbetet të shihet nëse ikja e Majkos nga tavolina e qeverisë e pakthyeshme.