Survejimi i Bashës, pse është i pabesueshëm mohimi i Policisë

Historia e përgjimeve dhe e survejimeve të paligjshme ndaj politikanëve të dorës së parë në Shqipëri u rikthye sërish mesditën e së premtes, kur fillimish në një media, e më pas tek shumë të tjera, u përhap informacioni se struktura të caktuara policore kanë vënë nën survejim Lulëzim Bashës.
Ky informacion, fillimisht mediatik, duket se është serioz, për sa kohë disa zyrtarë të lartë të Partisë Demokratike i janë drejtuar zyrave të Policisë së Shtetit për të marrë informacion më të plotë.
Në këtë situatë dyshimi mediatik, Policia e Shtetit ka mohuar zyrtarisht se ka vënë nën survejim kryetarin e PD, Basha.
Në fakt, survejimet dhe përgjimet e paligjshme nuk mund të marrin asnjëherë konfirmim zyrtar. Nëse pranohet në fakt i tillë, atëherë struktura përgjegjëse, në rastin konkret, Policia, do të pranonte hapur se ka shkelur ligjin dhe, për më tepër, do të pranojë vetë se, duke survejuar liderin e opozitës, është shndërruar mjet në duart e maxhorancës politike.
Rastet e mohimeve të përgjimeve dhe survejimeve të paligjshme nuk është i pari në këto vitet e fundit. Para dy vjetësh, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe e gjithë kupola e Policisë Shqiptare mohuan kategorikisht ekzistencën e “Imsi Catcher”, një pajisje që u dyshua se kishte kryer përgjime të paligjshme në telefonatat e shumë politikanëve dhe drejtuesve të lartë shtetërorë.

Por, në bazë të hetimeve të filluara në atë kohë nga Prokuroria e Tiranës, u krijuan dyshime të forta për ekzistencës dhe përdorimin e paligjshëm të ‘Imsi Catcher”. Aq të forta ishin dyshimet e prokurorëve, saqë bindën gjykatës për të pezulluar nga detyra Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako, si edhe për të arrestuar dy vartës të tij.
Hetimi për këtë çështje përfshiu në një vorbull politike Shqipërinë, si edhe vuri në siklet partnerët italianë, të cilit kishin siguruar pajisjen Imsi Catcher për kolegët e tyre të Policisë Shqiptare.
Hetimi për pajisjen e përgjimit u pushua së fundmi, për shkak se prokurorët nuk arritën të merrnin në afatin e parashikuar hetimor përgjigjet e letër-porosive. Gjithësesi, në rastin më të parë që përgjigjet e autoriteteve italiane do të mbërrijnë në zyrat e prokurorëve shqiptarë, hetimi “Imsi Catcher” do të ri-aktivizohet sërish.
Rasti ‘Imsi Catcher” është një prej atyre dëshmive konkrete, në të cilat dëshmohet se, pavarësisht mohimit zyrtar për përgjime apo survejime të paligjshme, ato ekzistojnë.
Ndaj, edhe në rastin më të fundit, mohimi zyrtar i Policisë së Shtetit për survejimin e mundshëm të kryetarit të opozitës nuk është aspak bindës.
Për të realizuar veprimet proceduriale të survejimit e vëzhgimit, është i nevojshëm autorizimi i prokurorit dhe më pas gjyqtarit, për rastet kur ka nisur një hetim penal. Për kryerjen e këtyre veprimeve proceduriale, prokurori ngarkon policinë për të kryer veprimet në terren.

Në rastin konkret, nuk ka asnjë të dhënë publike, por jo vetëm, që ndaj Lulëzim Bashës të ketë nisur ndonjë hetim penal. Në këtë mënyrë, policia nuk është urdhëruar nga prokurori për të kryer veprimet proceduriale ndaj kryetarit të PD, pra, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë survejim apo përgjim të ligjshëm.
Në këto kushte, është gjëja më normale që Policia të mohojë se ka nën survejim Bashën. Por kjo nuk e heq aspak dyshimin se struktura të caktuara të Policisë, në kundërshtim flagrant me ligjin, mbajnë nën vëzhgim të gjithë lëvizjet dhe takimet e kryetarit të opozitës.
Në një situatë normale, në fakt, nuk do të kishte asnjë pasojë që të monitoroheshin lëvizjet e kryetarit të opozitës, pasi ai është njeri publik dhe me axhendë zyrtare. Por, në kushtet kur opozita ka vënë në shënjestër të akuzave të saj Ministrin e Brendshëm, i cili është titullari politik i Policisë, për favorizim të vëllait të tij trafikant, situata merr ngjyrime të tjera, më së paku me nota hakmarrjeje.
Por jo vetëm kaq. Prej kohësh, opozita është shndërruar në një institucion të besueshëm, sidomos për zyrtarë të ndryshëm publikë, të cilët denoncojnë pranë këtij entiteti politik skandalet dhe shkeljet e kryera nga titullarë të rëndësishëm politik dhe administrativ. Në këtë mënyrë, duke mbajtur nën vëzhgim e survejim kryetarin e opozitës, struktura të caktuara policore vihen në dijeni edhe se cilët janë “bilbilfryrësit”, të cilët, për denoncimet e tyre, i besojnë më shumë opozitës se sa policisë dhe prokurorisë, të dyja nën kontrollin “de fakto” të ministrit të Brendshëm.
“Nga Boldnews.al”