Shkëmbim mes Alegrit e Zidane?

Real Madridi i ka bërë një ofertë Massimiliano Allegrit për të marrë përgjegjësinë e stolit të kampionëve të Europës. Kjo është ajo që “Tuttosport” thotë në kopertinën e vet të hënën. Kjo media torineze thotë se Florentino Perez e ka kontaktuar trajnerin aktual të Juventusit për t’i përcjellë propozimin e tij.
Gazeta në fjalë nuk e konsideron të realizueshme një marrëveshje të tillë, megjithëse nuk e përjashton atë për të ardhmen. Juventusi, ndërkohë, do të ishte i interesuar për Zidane si trajner, i cili tashmë ka luajtur me bardhezinjtë për pesë sezone, para se të nënshkruante në vitin 2001 për Real Madridin.
Allegri ka një kontratë me Juventusin deri në qershor 2020. Ai u ul në stolin e “Zonjës së Vjetër” në sezonin 2014-2015, kur Antonio Conte mori përsipër detyrën e trajnerit të kombëtares së Italisë.
Në katër sezonet e tij në stolin e Juventusit, Allegri e ka fituar rregullisht titullin kampion dhe Kupën e Italisë, plus Superkupën e Italisë në sezonin 2015-2016. Në Europë ka arritur dy herë në finale të Ligës së Kampionëve, në vitin 2015 dhe 2017, kur ranë përballë Barcelonës dhe Real Madridit, respektivisht.

Merkatoja e Juventusit, flet Morata
Prania në Itali, veçanërisht në Torino, e Alvaro Morata nuk është për asgjë, nëse kombinohet me takimin e disa kohëve më parë me drejtorin sportiv të Juventusit, Fabio Paratici, është e aftë të shkaktojë një bombë të vërtetë në merkato. Sulmuesi i Chelsea është kthyer në atë që ishte qyteti i tij nga viti 2014 deri më 2016, një kthim që la disa gjurmë dhe sugjerime në merkato, që mund të frymëzojë fansat bardhezi.
Morata ka qëndruar në një hotel në qendër të qytetit, i njëjti që pret axurrët e Roberto Mancinit për ndeshjen miqësore kundër Holandës, e cila luhet sonte. Në këtë vizitë është ndjekur nga afër prej mediave, të cilat duan të nxjerrin në pah arsyen e qëndrimit të tijnë Torino, siç është raportuar nga “Tuttosport”: “Jemi këtu për të marrë pjesë në një festë ditëlindjeje”.
Pyetja e pashmangshme në lidhje me ish-skuadrën e tij dhe të gjitha ndikimet e merkatos që rrjedhin prej saj: “Juve? Le të shohim. Tani për tani nuk di asgjë për të ardhmen time. Tani për tani mendoj vetëm për pushimet”. Kjo përgjigje nuk lëviz asgjë, por kontribuon në shpresat e tifozëve. Çdo negocim është i vështirë, sepse Chelsea e Abramovich kërkon jo më pak se 60 milionë euro.