Reagimi i Berishës: Futja e narkopolicisë në shkolla, rast i paprecedent në historinë e botës

Ish-Kryeministri Berisha e ka cilësuar skandaloze marrëveshjen e ditës së sotme, mes Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Arsimit, për emërimin e plotfuqishmëve të Shkollës.
Me anë të një statusi në Facebook, Berisha shkruan se kjo gjë nuk ka ekzistuar as në kohën e diktaturës. Berisha shkruan se, me anë të kësaj marrëveshjeje synohet rekrutimi i të rinjve dhe të rejave që të spiunojnë shokët dhe familjarët e tyre. Ai u ka bërë thirrje nxënësve që të mos lejojnë këtë skandal që të ndodhë.
Postimi i Berishës në Facebook
Futja e narkopolicisë në shkolla, rast i pashembullt në botë!
Të dashur miq, sot Xhafa i drogës dhe ndrikull Vila firmosën njërën nga marrëveshjet më të fëlliqura dhe më kriminale në historinë e shtetit shqiptar, dhe të paprecedent në historinë e botës; emërimin e të plotfuqishmëve në shkolla, gjë që nuk ka ekzistuar as gjatë diktaturës hoxhiste si dhe vendosjen e shkollave të mesme të vendit nën kontrollin policesk.
Detyra kryesore e të plotfuqishmëve oficerë narkopolicie që do emërohen për të gjitha shkollat e mesme ka si qëllim kryesor ngritjen e rrjeteve agjenturore të policisë kriminale, rekrutimin e djemve dhe vajzave për të spiunuar njëri tjetrin, por edhe familjet dhe shoqërinë tyre.
Ky akt kriminal dhe shkatërrimtar për arsimin tonë, që synon të kriminalizojë nxënësit tanë, është i pashembullt edhe në vendet diktatoriale dhe duhet dënuar me ashpërsinë më të madhe.
U bëj thirrje nxënësve, mësuesve dhe prindërve të ngrihen me forcën më të madhe dhe të mos lejojnë që banditë me uniformë, trafikantë të damkosur dhe perversë partiake të vënë dorë mbi fatin e fëmijëve të tyre.
U bëj thirrje të rejave dhe të rinjve mos lejoni kurrë që në territorin e shkollës tuaj të shkelin banditë me uniformë që vijnë aty me qëllimet më të ulta çnjerëzore për t’ju rekrutuar ju që të spiunoni njëri tjetrin dhe familjet tuaja në interes të një rregjimi të diskretituar dhe damkosur nga e gjithë bota! sb