Rama është i vetmi që ka frikë nga Basha

Nga Carloalberto Rossi

E përditshmja Panorama publikoi dy ditë më parë lajmin, e siguruar nga burime konfidenciale të saj, se Njësia Operative e Policisë së Shtetit ndjek dhe përgjon drejtuesin e opozitës Lulzim Basha.
Ishin të menjëhershme reagimet e ashpra të eksponentëve të ndryshëm të opozitës, si të PD-së, ashtu edhe LSI-së, të cilat vënë në dukje se si Policia e Shtetit nën drejtim e Ministrit të ri të Brendshëm, i akuzuar se është vëllai i një prej drejtuesve të narkotrafikut në vend, është kthyer në një polici politike, e cila në vend që të mbrojë qytetarët merret me “hetimin” e kreut të opozitës, fajtor se ka denoncuar në mënyrë të vazhdueshme lidhjet e qeverisë së Rilindjes me narkotrafikun.
Elokuent ishte reagimi i Policisë, e cila në vend të mbetej brenda kufijve të përgënjeshtrimit të lajmit, sikurse është normale, lëshoi një komunikatë ku akuzoi “një parti politike” se ka fabrikuar një lajm të rremë për të spekulluar dhe keqinformuar—ironikisht, duke vërtetuar, kështu, akuzën se Policia vepron si organ i njëanshëm dhe jo si insitucion i pavarur.
Menjëhëre, u vu në punë makina e propagandës qeveritare, duke mbushur portalet dhe mediat shoqërore me komente tallëse drejt Bashës, duke bërë insinuatën përçmuese se për ta futur në burg Bashën nuk ka nevojë për përgjime sepse prokuroria ka plot dosje me ngjarje të rënda të ndodhura nën përgjegjësinë e Bashës në të shkuarën.
Sulmet propagandistike u përforcuan me komentet tallëse të bëra nga vetë Rama në faqen e tij në Facebook, i cili fillimisht përgjimin ndaj Bashës e quajti njësoj qesharak dhe të rremë si përgjimin e vëllait të Ministrit të Brendshëm Xhafaj, dhe pastaj, me një stil humori të denjë më shumë për kafenetë e lagjeve se një kryeministër, botoi një meme të një “raporti përgjimi” ku raportohet se i përgjuari, pra Basha, është gjithmonë në “gjumë”.

Edhe këtë herë Rama e përdori të gjithë makinën e tij gjigande të propagandës—mediat që kontrollon, protalet që i ka të tijat, komentatorët publikë që paguhen prej tij, intelektualët që mbështeten prej tij, opozitarët fallco, inatçinjtë e mbetur pa pushtet politik, idiotët e dobishëm që kanë maninë të japin mendime për çdo gjë për të rënë në sy edhe pse nuk kuptojnë as situatën dhe as demokracinë—për të denigruar Lulzim Bashën, duke deklaruar se bëhet fjalë për një person që vetëm fle gjumë, i paaftë për të bërë ndonjë gjë, pa karizmën e Ramës, një që vetëm merr urdhra nga shefi i tij i vërtetë, Berisha, që nuk di të marrë vendime që nuk është një lider i vërtetë, pra që nuk mund të konsiderohet një alternativë e vërtetë ndaj Ramës për të drejtuar qeverinë.
Dhe kështu u shfaq e qartë para të gjithëve strategjia e “Rilindjes” e cila vazhdon prej disa vitesh, për të cilën Rama nuk ka kursyer kurrë energjitë dhe ndërhyrjet, as ato të tijat dhe as ato të propagandistëve të tij: të ushqejë një mosbesim personal rreth figurës së Lulzim Bashës, për të parandaluar që ai të mund të bëhet një pikë referimi për pakënaqësinë e përhapur kudo në vend.
Një investim i madh mediatik që po jep frutet e tij, nëse është e vërtetë se protestat e Partisë Demokratike akoma nuk arrijnë të mbledhin bashkë të gjithë këtë pakënaqësi dhe nëse është e vërtetë se shumë eksponentë të shoqërisë civile përsërisin si papagaj se problemi në Shqipëri është opozita e dobët.
Por në të vërtetë ka edhe nga ata që kanë filluar të kuptojnë se ajo që Rama tregon si dobësia e Bashës, është pikërisht karakteristika më mirë e politikanit Basha, pra, në ndryshim nga Rama, ai nuk është dhe, edhe po të dojë, nuk mund të jetë një rrezik për demokracinë, ai udhëheqësi i zakonshëm karizmatik shqiptar që transformohet shpejt në një autokrat të aftë për të ndërtuar një pushtet diktatorial.
Basha është një njeri normal, pak i ngurtësuar në përpjekjen e tij për t’u treguar serioz dhe i përgjegjshëm, që ka vendosur ta bëjë politikën si profesion, duke kërkuar për të përfaqësuar interesat dhe vlerat që ai ndan me një pjesë të elektoratit, maksimumi mund të kërkojë ta mbajë partinë e tij deri sa ta zvogëlojë në zero, por nëse nuk e voton më, ai shkon në shtëpi dhe në qeveri vjen dikush tjetër më i mirë.

Por në mënyrë ironike, një pjesë e madhe e shqiptarëve, e kushtëzuar nga propaganda e Ramës, nuk ka besim tek Basha, pikërisht sepse Basha nuk tregon forcën—nga protestat e tij nuk ngrihen oxhakë tymi të makinave të djegura dhe të plagosurit në spitale janë pak. Pra, Basha nuk është mjaftueshëm i keq për të qënë kreu i kopesë, mashkulli alfa, për të qeverisur me grusht të fortë këtë vend të banuar nga qytetarë që i ju fshihen edhe interesave të tyre—domethënë, Basha nuk bën për ne, ndaj është më mirë të mbajmë Ramën.
Kjo është pikërisht teza që dëshiron dhe që përhap Rama prej kohësh, por nëse Rama, në vend që të luftojë realisht krimin, i përdor energjitë e tij të pashtershme vetëm për të delegjitimuar Bashën si një udhëheqës i mundshëm alternativ, kjo do të thotë se problemi i vetëm i Ramës, i djeshmi dhe i sotmi, është pikërisht Basha.
Dhe një shpjegim ka, para syve të të gjithëve, por të mbuluar nga retë e krijuara nga tymi i propagandës së Ramës. Në fakt ka qenë vetëm Basha, ndoshta me ndihmën e Donald Lusë para se ai të përfshihej në afera shqiptare, që lëshoi tezën politike, atëherë të tallur nga të gjithë por sot të konsideruar përcaktuese, të dekriminalizimit.
Ishte ai që shoqërinë e shpërqendruar shqiptare, të thoshte se ekzsitonte një problem i kriminalizimit jo vetëm të politikës, por të gjithë shoqërisë. Ishte ligji i dekriminalizmit i Bashës, shpesh i ironizuar nga Rama si i padobishëm, që ja hoqi shtresat e para sistemit monolitik të “Rilindjes”, që i tregoi popullit cilësinë e vërtetë njerëzore të sistemit me fasada të lyera me bojë.
Dhe pas dekriminalizimit erdhi dekanabizimi, edhe ky i mohuar me forcë dhe për një kohë të gjatë nga Rama, por edhe në këtë rast pas përgënjeshtrimit të fillimit Rama u detyrua ta zbatojë.
Tani narrativa, në të vërtetë e nisur vetëm nga Basha—ajo e një vendi që ka humbur referimet normale, e një shoqërie të mbushur me krim, e një klase drejtuese grabitqare dhe të paaftë, e pajisur vetëm me verbëri ndaj vetes dhe arrogancë të pakufishme—ka depërtuar shtresat e trasha të tymit të përhapura nga propaganda e Ramës dhe po kthehet në një ndërgjegjësim të përhapur kudo, duke shkaktuar zhgënjim dhe zemërim e duke nxitur përpjekjet për të ikur me vetëdijën e pamundësisë së bashkëjetesës shoqërore dhe një të ardhme normale.
Basha, praktikisht i vetëm—duhet t’i japim meritën që i takon—ka treguar se Rama ishte vetëm një prestigjator dhe ja ka djegur të gjitha truket dhe gjithë magjinë e tij. Për këtë arsye Rama, edhe pse vazhdon ta qesh në mënyrë histerike, brenda tij e ka frikë, dhe shumë madje, sepse e di se politika e tij varet vetëm nga truket.
Vetëm ai ja ka frikën, sepse populli shqiptar nuk ka asgjë për të humbur dhe asgjë për t’u trembur.