Prapaskenat e largimit të Ronaldos nga Reali, ja çfarë u kishte thënë shokëve

Ylli portugez, pesë herë fituesi i “Topit të Artë”, habiti shumicën e tifozëve të Real Madridit, duke përfshirë presidentin Florentino Perez, me fjalët e tij, sapo përfundoi finalen e Ligës së Kampionëve, por jo shokët e skuadrës.
Në javët e fundit, para ndeshjes përmbyllëse të sezonit, finales së Kievit, Cristiano Ronaldo nuk e ka fshehur para shokëve të skuadrës dëshirën për ta lënë Real Madridin. Ai, madje, u ka rrëfyer bashkëlojtarëve se cila situatë për të është bërë më e komplikuar.
Ajo që shokët e tij nuk e prisnin ishte se ai do ta bënte publike aq shpejt, sapo ndeshja finale e Ligës së Kampionëve të përfundonte, njofton “MARCA”. Pastaj erdhën skenat e shikuara nga të gjithë në festime, por për shumë prej tyre, Ronaldo ka luajtur tashmë ndeshjen e tij të fundit me Real Madridin.
Thirrja e Cristiano Ronaldos ka shkuar në sfond pas lamtumirës së Zinedine Zidane, por problemi është ende i fshehtë. Bashkëlojtarët e tij te Portugalia janë vënë, po ashtu, në dijeni nga kapiteni i tyre, por ata në rang klubi nuk janë shumë të qetë dhe, në të njëjtën kohë, janë të zemëruar me qëndrimin e tij.
Kontrata në fuqi dhe 1.000 milionë eurot e klauzolës së shlyerjes janë truket me të cilat klubi madrilen luan për ta ndaluar dëshirën e lojtarit që ta përmirësojë kontratën, ose ndryshimin e erërave të sulmuesit. Shumë baste mund të vihen për këtë situatë, nëse gjithçka mbetet një “fishekzjarre” e portugezit për të marrë kontratën financiare që do, jo më pak se ajo e rivalit të tij të madh, Leo Messit te Barcelona, apo CR7 vërtet do të lëvizë.
PSG po e josh nga ana tjetër, duke i afruar 45 milionë euro në sezon, por në këtë rast do të hynte në lojë, si pjesë e transferimit, edhe sulmuesi brazilian, Neymar. Ky i fundit pëlqehet shumë në “Bernabeu”, shihet si zëvendësuesi ideal i Ronaldos, por edhe parizienët nuk heqin dorë prej tij.
Ronaldo pret gjestin e një kontrate të re, diçka që klubi ende nuk duket shumë i gatshëm t’ia japë një lojtari me moshën 33-vjeçare, por sezon pas sezoni, CR7 vazhdon të habitë për performancën e tij.