Një tjetër qytetar denoncon torturat në komisariatin e Pogradecit

Një tjetër rast dhune është regjistruar në ambientet e komisariatit. Këtë herë denoncimi vjen nga Pogradeci, ku një 28-vjeçar pretendon se është rrahur nga policia. Burime për ‘BalkanWeb’ bënë me dije se Ilir Bego ka goditur me shkelma makinën e policisë, ndërkohë që pas kësaj ngjarje pretendon se është dhunuar në komisariat.
“Me dhunuan gjate shoqërimit dhe qëndrimit në Komisariatin e Pogradecit. Ngjarja ka ndodhur të hënën në mëngjes tek dera e Komisariatit”, tha ai. 28-vjeçari pohoi se kishte goditur me shkelma gomat e makinës private të efektivit të qarkullimit Bujar Xhyra.
Shkak për reagimin mësohet të ketë qenë një gjobë e marrë para dy vitesh. “Me morën me forcë dhe me tërhoqën zvarrë në Komisariat. Ju kërkova falje për veprimin, por policët me dhunuan. Me goditen tre herë me grusht në gjoks. Efektivet me goditen edhe në krah. Me mbajtën në Komisariat 9 orë, më pas më liruan. Demin e makinës së policit e kompensoi babai menjëherë. Kam frikë të denoncoj policët. Prokurori i Rrethit nuk pranoi të merrte denoncimin”, tha ai.
Kujtojmë se një ngjarje e rëndë u regjistrua në 17 maj në komisariatin e Korçës, kiu humbi jetën në rrethana misterioze Enea Ftoi. Familjarët e tij akuzuan policinë për ushtrim dhune, duke i shkaktuar edhe vdekjen të riut. Ndërkohë, një tjetër rast ndodhi në Shkodër, ku Ardian Kallami vrau veten, ndërkohë që familjarët pretendojnë se ngjarja ndodhi pas dhunës së ushtruar nga policia.