Në pritje të takimit Trump-Kim

Uashingtoni po ndjek me vëmendje ndërsa Shtëpia e Bardhë përgatitet për takimin e nivelit të lartë të javës së ardhshme mes Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un. Bisedimet që do të mbahen në Singapore dhe që zoti Trump i anuloi muajin e kaluar, tani janë planifikuar përsëri, duke u dhënë shkas spekulimeve për rezultatet e mundshme të takimit.
Në fund të javës së kaluar, Presidenti Trump u takua me një të dërguar koreano-verior, mori një letër nga Kim Jong Un dhe konfirmoi se takimi do të mbahej …
“Procesi do të fillojë më 12 qershor në Singapor.”
… por me pritshmëri të kufizuara.
“Ne nuk do të shkojmë dhe të nënshkruajmë ndonjë gjë më 12 qershor. Nuk ishte asnjëherë në plan. Është fillimi i një procesi. Dhe unë u thashë që kanë kohë. Mund të përparojmë me shpejtësi ose ngadalë”.
Veteranë të negociatave të kaluara me Phenianin, po japim mendimet e tyre.
“Rreziku tani është se mos kthehet thjesht në një mundësi për reklamë…Megjithatë duhet bërë dhe mund të përfitojmë prej tij. Çfarë do të përbënte sukses? Sukses do të ishte reduktimi i përdorimit të provave bërthamore dhe raketave, shkatërrimi i armëve nga Koreja e Veriut”, thotë ish-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Bill Richardson.
Administrata po përcakton qëndrimet e saj para takimit.
“Ne do të vazhdojmë të zbatojmë të gjitha rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ndaj Koresë së Veriut. Masat ndaj Koresë së Veriut do të zbuten vetëm kur të demonstrojë hapa të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm drejt asgjësimit të armëve bërthamore”, thotë Sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis.
Sipas analistëve, mund të duhen vite para se të jetë e sigurt që Koreja e Veriut do ta mbajë fjalën.
“Ne nuk e dime se ku janë të gjitha armët, sa kanë dhe ku i fshehin. Ata kanë mijëra tunele të fshehura. Prandaj procesi i verfikimit do të jetë shumë i vështirë për t’u realizuar dhe duhet të kemi pritshmëri realiste”, thotë Sue Mi Terry, ish-analiste e CIA-s.

Ambasadori Richardson thotë se koreano-veriorët janë negociatorë të vështirë dhe do t’i vënë në prove aftësitë e Presidentit Trump për të arritur marrëveshje.
“Duhet të jetë jashtëzakonisht i përgatitur. Kim Jong Un do të jetë shumë i përgatitur. Ai i njeh shumë mirë programet e veta bërthamore”.
Përsa i takon letrës së Kimit, që iu dha në një zarf të madh, zoti Trump nuk ka thënë se çfarë kishte shkruar udhëheqësi i Koresë së Veriut.
Pheniani shkarkon tre udhëheqës të rëndësishëm ushtarakë
Agjencia koreanojugore e lajmeve Jonhap tha se tre nga udhëheqësit kryesorë ushtarakë të Koresë së Veriut janë zëvendësuar.
Duke cituar një burim të agjencisë koreanojugore të zbulimit, agjencia Jonhap tha se ndryshimet janë bërë, si nxitje drejt një marrëveshjeje me Korenë e Jugut dhe me Shtetet e Bashkuara, duke theksuar se tre drejtuesit e mëparshëm nuk kishin elasticitetin e duhur ndaj ndryshimit të politikave.
Ndryshimet shihen si një përpjekje e Phenianit për ta bërë ushtrinë koreanoveriore të jetë në sinkron me politikën, në prag të një marrëveshjeje të mundshme për çarmatosjen bërthamore mes Presidentit Trump dhe udhëheqësit Kim Jong Un në takimin e planifikuar për më 12 qershor në Singapor.