Fatmiri s’ka vëlla!

Nga Agim XHAFKA

Po themi që Fatmiri Xhafaj është djalë i vetëm.
Nuk ka as vëlla, as motër, madje po e quajmë që është edhe pa prindër. I rritur në shtëpitë e fëmijës ndaj askush nuk e akuzon dot për vepra të dënueshme që kanë bërë të tjerët.
Se nuk do i kërkojnë llogari për çapkënllëqet e shokëve të tij në gjimnaz.
Por Fatmiri prapë del shumë ‘shtatzënë’ për postin e ministrit të Brendshëm.
Së pari, nuk plotëson kriterin e arsimimit, që është bazamenti i një posti politik. Se nuk quhet universitet dega e juridikut që Xhafaj e ka mbaruar në kohën e qepës. Atëherë kur në çdo lëndë mësohej si të dënohej edhe pa prova gjithkush që partia e shënjonte si armik e sabotator.
Një njeri i pashkollë mund të shërbejë psh., shofer në ministri, por jo ministër.
E shumta hidraulik.
Së dyti, Fatmiri nuk është kaq i dlirë në cv-në e tij shekullore. Ka plot njolla vetjake, si hetues i një sistemi nazist ku të drejtat e njeriut nuk përfilleshin fare. E disa prova janë publikuar në media.
Ka hetime të tij me tortura e me prova të sajuara.
Së treti, ky ministër njësoj si tragji-komiku Gramoz Ruçi bredh zyrave të botës me ekipe përkthyesish nga shqipja në anglisht e ndonjëherë nga shqipja në shqip se mjaft termave të ditës Fatmiri nuk ua ka haberin. Po fare, fare.
Edhe kur del në televizor gjysmat e njerëzve pyesin gjysmën tjetër se çfarë donte të thoshte ky ministri me fjalët që lëshoi.
Së fundi, kur vendi ka mijëra e mijëra të rinj të shkolluar, Xhafaj më ngjet si një këpucar që ngjit atlete bash te dera e dyqanit ‘Nike’.
Fatmir jep dorëheqjen, ti mund të rrish sa të duash në zyrën e rehatshme, por do zgjatësh jetën tënde në barcaletat e shqiptarëve. Ja, po ikin 30 vjet e Hekuran Isai i atëhershëm ende përmendet si Lali Hekri, me shpotitë e trashësitë e tij.
E të mendosh që ai ishte nja tre herë më i mençur se ti, pra e sigurt që do e kapësh 50 vjetorin e barcaletës tënde…
Congrats!