Boçi: Rama u tall me qytetarët e Elbasanit, e meritonte pritjen që i bënë

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, e ka cilësuar si një tallje hapjen e panairit të punës në Elbasan. Ky reagim erdhi pas ndërhyrjes së policisë, gjatë protestës së demokratëve të Elbasanit. “Është e papranueshme të tallesh”, tha Boçi duke theksuar se Rama e meritonte një pritje të tillë.
Deputeti demokrat ka shtuar se protesta e të rinjve është gjëja më e pakët që meriton Kryeministri.
“Me ato çadra t’i hedhësh hi syve elbasanasve. Është e papranueshme të tallesh.Sepse mjafton të shohësh rrugën Elbasan-Tiranë, sepse i ka sjellë Elbasanit inceneratorët më helmues që është shprehje e bashkëpunimit të ngushte mes botës së krimit me qeverinë. Inceneratori vazhdon të helmojë banorët. Shto edhe papunësisë. Protesta është gjëja më e vogël që qytetari mund t’i bëjë Ramës”, tha Boçi.
PD-ja lëshoi një deklaratë lidhur me ngjarjen ku shprehej: “Demokratët e presin me protesta Ramën në Elbasan, por policia e shtetit sillet si polici private dhe tenton të sekuestrojë pankartat kundër Edi Ramës. Takimi i parë i Edi Ramës në Elbasan duhet të niste në Prefekturë, por për shkak të protestuesve demokratë, ai ndryshoi drejtim për tek Kalaja.
Protestuesit me pankartat që e cilësojnë Ramën si Pasha të Drogës, e kanë ndjekur edhe aty. Por policia,në shkelje të ligjit, siç shihet në video, ka ndërhyrë për të larguar protestuesit nga Edi Rama. Në një akt të paprecedentë, policët kanë tentuar t’u marrin atyre pankartat. Protestuesit demokratë nuk janë tërhequr dhe e sigurt është se turi i Ramës në qarkun e Elbasanit sot nuk do të jetë i qetë”.