Beteja për Teatrin, aktori-Veliajt: Ftesa jote farsë, s’na ke thirrur për dialog

485

Ka nisur prej disa minuash takimi mes kreut të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe ministres së Kulturës Mirela Kumbaros me aktorët e Teatrit Kombëtar.
Veliaj tha se Teatri nuk është vetëm i artistëve por edhe i qytetarëve, duke thënë se ka merak për gjendjen e qytetarëve në verë dhe dimër.
Ndërkohë që aktori Alert Çeloaliaj e ka thënë troç që ftesa e sotme nuk është për dialog, sa kohë që Bashkia dhe qeveria e kanë ndarë mendjen se aty do të ndërtohet një Teatër i ri.

Replikat:
Veliaj: Me gjithë respektin për ju, Teatri nuk është vetëm i artistëve, po është dhe i qytetarëve që vinë për t’iu parë ju. Unë kam shembullin e Pazarit të Ri, që u shtuan bizneset, unë kam marrë kërcënime me jetë kur nisa ndërtimin atje. Sipas vlerësimeve tona ndërtimi i teatrit shkon 4-5 fishi i një pallati.
Me çmimet e Shqipërisë për 9500 m2, kostoja do të shkonte 30 milionë euro. A janë shumë apo janë pak? Të gjitha investimet që ju shikoni në Tiranë në një vit janë në nivelin e 20 milionë eurove.

Çdo gjë që ndodh në Tiranë, të gjitha investimet, kopshte, çerdhe, pemë, kanalizime, bujqësia, emergjenca civile, të gjitha kushtojnë kaq. nga viti 2005-2013 janë harxhuar 1.8 miliardë lekë ose 18 milionë USD për kulturën. Nga qeveria e re në 5 vite 15 milionë USD.
Dua tu bëj një ofertë shumë të sinqertë. Nëse jeni dakord që të caktoni një përfaqësi bashkë me mua të mblidhemi dhe të negociojmë. Nuk na pëlqen, e lëmë. Ne na duhet një gjë e re. Se si, hajt ta flasim. Ky nuk është një ligj për të prishur teatrin, nuk është një ligj për të ndërtuar një teatër të ri. Në na ka ardhur zogu në dorë, siç thonë tironsit. Të bëhemi bashkë dhe të negociojmë me arkitektin. Nëse funksionon amin, nëse nuk funksionon hajde të vrasim mendjen.
Çeloaliaj: Na keni ftuar në takim dhe na keni thënë që kërkoni bashkëbisedim, ndërsa më poshtë në ftesë do të shihni se ju keni shkruar që Teatri i ri do të ndërtohet aty ku sot është ekzistuesi, pra e keni bërë fakt të kryer. Ideja e dialogut është në thonjëza në sytë e komunitetit, pasi nuk po na ftoni për të paraqitur idetë tona.