Besnik Mustafaj: Protesta e opozitës e ka bërë ministrin Xhafaj më të dobët, Rama e ka humbur toruan

Publicisti Besnik Mustafaj bëri analizën e tij për protestën e opozitës të shtunën që lamë pas si dhe mundësinë e çeljes së negociatave.
Mustafaj, i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News24, tha se cilësia e protestës së opozitës meriton përgëzime e sipas tij e ka bërë ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, moralisht më të dobët.
“Protesta është një tregues që matet forca e pakënaqësisë, po jo forca e shpresës. Cilësia e protestës meriton përgëzime, ishte një protestë e organizuar mirë, ku kishte dhe show brenda, me parullat e pikturat. Moralisht ministri i Brendshëm është më i dobët pas kësaj proteste. Nuk e di si e lexon Xhafaj këtë.
Duhet të provohen figurat e ndryshme të opozitës apo dhe vetë liderit sa kanë aftësi artikuluese e propozimeve që sjell, se një opozitë që vetëm denoncon kthehet në sindikatë. Më vjen mirë që opozita nuk e braktis parlamentin, kam qenë kundër karrigeve bosh gjithmonë. Besoj se opozita do ta vijojë betejën në Kuvend.
Çdo kryeministër ka nevojë për reflektim, sa herë bëhen protesta, se nuk bëhen kot. Opozita është aq e vendosur në llogoren e vet, sa që nuk bën kompromis”, tha Mustafaj.

Braktisja e pozitës në Kuvend
Është gjë që nuk ndodh, është një nga teatret absurde që bën Edi Rama. Se po iku dhe pozita kush mbetet në parlament.
Skenaret e opozitës
Nuk i njoh skenaret e opozitës, por do ishte gabim të ndodhnin skenarë më të tendosura se këto. Kriticizmi i opozitës nuk i bën keq çeljes së negociatave. Opozita nuk po bëhet pengesë për negociatat, e ka bërë detyrën e vet përpara parlamentit. Të gjitha tentativat që bën kryeministri që ta njollosë opozitës si penguese të çeljes së negociatave, janë blofe.
Qëndrimi i vendeve të ndryshme
Janë 27 vende, unë besoj se Rama po bën lobing në maksimum duke u përfshirë vetë, gjë që për mua është e gabuar. Është energji suplementare e harxhuar, lobimi bëhet edhe nëpërmjet ambasadave. Ai po harxhon shumë energji pa nevojë. Ministria e Jashtme dhe qeveria kanë info për secilin vend dhe se ku janë ngecjet. Kam qenë gjithnjë i bindur se duheshin çelur negociatat. Do të ishte kohë e fituar. Është dhe një mundësi në dhjetor. Po meqë janë zgjedhjet në parlamentin europian pak pas dhjetorit, nëse tani janë pak vende që janë në mëdyshje për hapjen e negociatave, në dhjetor mund të ketë 15 vende skepktike.