600 kg kanabis, 32 kg heroinë dhe 2 kg kokainë kapen në Itali, ja kush janë shqiptarët e arrestuar

Policia italiane sekuestroi sot në Brindizi rreth 700 kilogramë drogë: 600 kg kanabis, 32 kg heroinë, 21 kg hashash dhe 2 kg kokainë. Policia italiane bëri të ditur se gjatë operacionit të koduar “Bogota” janë arrestuar edhe dy shqiptarë.
Siç raportojnë mediat italiane, në pranga janë vënë Ervin Luja dhe Majius Muca, përkatësit 38 dhe 29 vjeç.
Mediat e shtetit fqinj shkruajnë se, autoritetet italiane kanë goditur një organizatë kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës përmes Adriatikut. Gjatë aksionit policor në Brindizi, katër persona u arrestuan si pjesë e një rrjeti të gjerë të drogës. Dy prej tyre janë shqiptarë dhe dy italianë.
Mediat italiane raportojnë se 51 persona akuzohen nga Prokuroria si të përfshirë në këtë organizatë kriminale.
Disa prej tyre janë arrestuar kohë më parë gjatë operacioneve të ndryshme. Grupi kriminal trafikonte hashash, kokainë dhe heroinë. Organizata ishte e ndarë në disa grupe njerëzish, të cilët kanë role të përcaktuara. Ata kanë kontrollin e tregut në Lombardi, Emilia Romagna, Toscana, Sardenja, Basilicata, madje dhe në Belgjikë, ku blinin sasi të mëdha kokaine dhe më pas i shpërndanin në qytetet italiane.
Nga hetimet është zbuluar gjithashtu se kjo organizatë kishte mbështetje logjistike nga grupet e tjera kriminale që ndodhen në Shqipëri, me të cilat bashkëpunojnë. Bandat në vendin tonë, bënin të mundur gjetjen e mjeteve për transportin e drogës dhe skafistët.
Gjatë hetimeve, janë sekuestruar rreth 700 kilogramë drogë: 600 mariuanë, 32 kg heroinë, 21 kg hashash dhe dy kg kokainë. Janë sekuestruar gjithashtu edhe mjeti që janë përdorur për transportin e drogës.