Zbulohet burgu i sigurisë së lartë ku ndodhet Agron Xhafaj në Itali

Në datën 16 maj, Agron Xhafaj, njoftoi se do t’ju dorëzohej autoriteteve italiane ku figuron i dënuar me 7 vite e 2 muaj burg në vitin 2012.
Largimi i Agron Xhafajt drejt Italisë u bë në fshehtësi të plotë ndërsa për udhëtimin e tij në shtetin fqinj si dhe për dorëzimin e tij tek autoritete italiane nuk pati asnjë informacion.
Politiko.al ka mësuar se Agron Xhafaj ndodhet në burgun e Rebibias në Romë. Një burg që autoritetet vendase e cilësojnë si një burg të sigurisë së lartë.
Ky burg u bë i njohur në Shqipëri ku në tetor të 2016-ës, tre shtetas shqiptarë sharruan hekurat e dritares së qelisë që ndodhej në katin e parë dhe pasi kanë arritur tek muri rrethues i burgut kanë zbritur prej tij përmes çarçafëve.
Juristi Sokol Hazizaj, thotë se largimi i Agron Xhafajt drejt Italisë bëhet pa asnjë procedurë ligjore është një veprim i nxituar.
“Për mua dërgimi me urgjencë i shtetasit Agron Xhafaj, është veprim jo procedural. Është veprim i nxituar. Mund të jetë politik, por karakter ligjor nuk ka. Është larguar për shkak të kërkesës së ekstradimit? Nuk ka. Është larguar për shkak të një letër porosie? Nuk ka. Ka një rrugë, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Ky dorëzim është bërë nëpërmjet një akti politik dhe jo procedural. Xhafaj ka bërë një gabim shumë të madh, nëse ka pranuar dhe imponuar të vëllanë të shkojë është gabimi i dytë që bën”, tha ai.