Trump nuk njeh zgjedhjet e manipuluara në Venezuelë, nxjerr urdhrin për sanksione ekonomike

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ekonomike ndaj Venezuelës, lidhur me atë që u cilësua si rizgjedhje nëpërmjet “mashtrimit” e presidentit Nicolas Maduro për një mandat të dytë gjashtëvjeçar.
Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që ndalon kompanitë amerikanë të kryejnë tregti me naftën e Venezuelës, dikur një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë.
Autoritetet në Karacas e kritikuan vendimin për sanksione.
Nicolas Maduro e cilësoi rizgjedhjen e tij si një “vendim historik”. Sipas zyrtarëve që administruan procesin zgjedhor, ai fitoi 68 për qind të votave, me një avantazh të dukshëm ndaj rivalit të tij më të afërt, ish-ushtaraku Henri Falcon i cili fitoi 21 për qind të votave.
Por procesi u shënua nga një mospjesëmarrje historike prej 52 për qind të votuesve, kjo si pasojë e muajve të tërë me trazira ekonomike, shoqëruar nga mungesa e ushqimeve, ilaçeve dhe protesta të dhunshme. Edhe koalicioni opozitar i quajtur “Tryeza e Unitetit Demokratik”, i bojkotoi zgjedhjet, duke i cilësuar ato si farsë.
Një koalicion prej 14 vendesh të kontinetit Amerikan, përfshirë Brazilin, Kolumbinë dhe Meksikën, njoftuan se do të kufizojnë lidhjet diplomatike me Karakasin.
Shtetet e Bashkuara kanë vënë sanksione ndaj zyrtarëve aktualë dhe të mëparshëm të Venezuelës, për shkak të korrupsionit dhe për ushtrimin e shtypjes në vend.
Sekretari i Thesarit Steve Mnuchin tha përmes një deklarate se “Presidenti Maduro dhe qarku i tij i ngushtë vazhdojnë të venë interesat e tyre mbi ato të popullit venezuelian. Ky veprim thekson vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara t’i vënë para përgjegjësisë Maduron dhe persona të tjerë të angazhuar në korrupsion në Venezuelë.”
Sipas Departamentit të Thesarit, sanksionet janë vënë ndaj zyrtarëve të lartë ushtarakë.
Në deklaratën e Departamentit thuhej: “Korrupsioni dhe represioni vazhdojnë të lulëzojnë nën regjimin e Maduros, si nga ata që mbajnë aktualisht pozicione qeveritare, edhe nga ish zyrtarë, të cilët vazhdojnë të përfitojnë nga një sistem i korruptuar.”
Në deklaratë thuhej se sanksionet ndaj zyrtarëve nuk kanë të bëjnë me orjentimit politik të tyre.