Tahiri nuk duron dot të rrijë i mbyllur në shtëpi, çfarë kërkon ish-ministri

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri nuk duron dot të qëndrojë i mbyllur në shtëpi. Për këtë qëllim ish-ministri që akuzohet për trafik droge me bandën e Habilajve ka kërkuar heqjen e ‘arrestit shtëpiak’ duke apeluar masën e sigurisë të vendosur dy javë më parë nga Gjykata e Krimeve të Rënda.
Seanca për masën e sigurisë të Tahirit, mësohet se do të mbahet më 28 maj, dy ditë pas protestës së opozitës.
Siç duket Tahiri nuk po mundet dot ta përballojë qëndrimin në shtëpi, mbi të gjitha kur edhe gazetarët rrinë rrotull banesës së tij, për t’i bërë foto kur ai del në dritare, a thua se çfarë ka ndodhur.
Por nga ana tjetër, Prokuroria kërkon ashpërsimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Apelit. Prokurorët e çështjes e kanë justifikuar këtë kërkesë me provat e reja që kanë siguruar, një pjesë e të cilave u paraqitën në seancën e para një jave.
Bëhet fjalë për ndërhyrjet në sistemin TIMS për të manipuluar hyrje-daljet e Tahirit në Shqipëri, riparimin e skafit te servisi i Habilajve, bashkëpunim në trafikun e drogës drejt Italisë me Habilajt, udhëtimi në Greqi me habilajt si dhe rasti i peshkarexhës ‘Fatma’, që hyri në Shqipëri e pakapur nga radarët dhe pasi u ngarkua me 800 kilogramë drogë u nis drejt Italisë.