Si kurrë më parë, Ronaldo arrin në finalen e Champions-it nën peshën 85 kg

Cristiano Ronaldo arrin më i lehtë se kurrë në një finale të Ligës së Kampionëve. Në moshën 33-vjeçare, ylli portugez po e kuron fizikun e tij deri në detajet më të vogla, për të arritur në finalen e fundsezonit maksimalisht i përgatitur. Rezultati i kësaj pune është se ai arrin në Kiev nën peshën 85 kg, nga 87 kg që ishte në fundin e sezonit të kaluar.
Cristiano Ronaldo po ndjek një plan, që e ka detyruar atë të humbasë peshën, të fitojë muskuj dhe elasticitet dhe të ruajë shpërthimin dhe fuqinë në kërcim. Parimi i tij, si ai i shumë lojtarëve të tjerë që kanë tejkaluar një moshë të caktuar, është të humbasë një kilogram çdo vit, në mënyrë që të mos i rritet yndyra dhe të mos humbasë shpejtësinë. Tani, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” është gati 84 kg.
CR7 ka një fizik të mrekullueshëm, që i lejon atij të bëjë edhe kërcime spektakolare me kokë si ai në stadiumin e Juventusit dhe që bëri xhiron e botës. Ai kërceu me autoritet, i kordinuar me topin në lartësinë 2.23 metra nga fusha e blertë dhe mori admirimin e rivalëve. Barzagli nuk shpëtoi nga lavdërimi për portugezin: Ishte gati “PlayStation”.
Historia fizike e golashënuesit më të mirë të Real Madridit (450 gola në 437 ndeshje) përmban të dhëna, që e habisin stafin teknik dhe mjekësor të ekipit të bardhë.

Ai ka një masë yndyre prej 7%, kur normat e zakonshme të një futbollisti janë midis 10 dhe 11%; një masë muskujsh prej 50% (në përgjithësi, ky rekord nuk kalon 46%), një kërcim të jashtëzakonshëm të fuqisë, sepse këtë sezon ka arritur metrin e lartësisë statike të një lojtari me moshë biologjike prej 23 vitesh. Pra, Ronaldo ka një gjenetikë përtej normales.
Faktori “Zidane”
Zidane, gjithashtu, ka bashkëpunuar në mënyrë aktive për të rritur karrierën e Cristiano Ronaldos. “L’Equipe” zbuloi një bisedë në mes trajnerit të Real Madridit dhe portugezit, me të parin duke u përpjekur për ta bindur yllin portugez që të pushojë më shumë gjatë sezonit: “Nëse më dëgjoni mua, duhet të pranoni ndonjë pushim nga koha në kohë, t’i humbisni disa ndeshje. Nëse më besoni mua, ju kështu do ta zgjasni karrierën tuaj për disa vite”.
CR7 e ka pranuar sfidën. Në La Liga, ai ka shënuar 12 gola në 7 ndeshjet e fundit. Ronaldo vuajti në “El Classico”, çka e bëri që të humbasë lojërat kundër Sevilla dhe Celta. Tani, Cristiano është fizikisht dhe mentalisht i fokusuar te finalja e Ligës së Kampionëve, e cila do të luhet të shtunën e ardhshme, kundër Liverpool. “Ndihem shumë mirë, dua të jem në krye të shtunën”, – deklaroi portugezi në “Ditën e Hapur të Mediave”. Dhe për këtë, kujdeset shumë për fizikun e tij, arma e tij më e mirë për t’i frikësuar të besuarit e Jurgen Klopp.