Reagim i PD: Ambrozia Meta s’pranoi të shantazhohej, i nxorri Ramës fytyrën e vërtetë para shqiptarëve

Partia Demokratike ka dalë në një deklaratë për mediat, për rastin e gazetares Ambrozia Meta. Albana Vokshi, kryetare e Komisionit për Mediat dhe Edukimin, tha se gazetarja e Fax News nuk pranoi të shantazhohej nga kryeministri.
Vokshi ka thënë se gazetarja ia doli të nxjerrë para shqiptarëve fytyrën e vërtetë të Ramës.
“Gazetarja Ambrozia Meta u kthye në kryefjalën e ditës. Ia doli të nxjerrë para shqiptarëve fytyrën e vërtetë të Ramës. Rama shantazhon mediat që përballen publikisht. Ambrozia s’pranoi të shantazhohej nga Rama. Rama po fsheh të vërtetën për vëllezërit Xhafaj. Shqiptarët s’pranojnë të qeverisen nga krimi. Të bashkohemi në 26 maj kundër krimit dhe drogës”, tha Vokshi nga selia blu.
Deklarata e plotë e Kryetares së Komisionit të Medias, Albana Vokshi.
Një gazetare e re, Ambrozia Meta, e televizionit po ashtu të ri, Fax News, është kthyer në kryefjalën e ditës, sepse me këmbëngulje i bëri kryeministrit pyetjet që donte t’i bëntë çdo shqiptar i ndershëm. Me kurajo Ambrozia nuk pranoi të shantazhohej prej Edi Ramës.
Me qetësi dhe profesionalizëm, Ambrozia ia doli të nxjerrë para shqiptarëve fytyrën e vërtetë të Edi Ramës: atë të një kryeministri që shantazhon, kur nuk ble dot, që kërcënon për të mbuluar pafuqinë e tij, që largohet, kur nuk përballet dot me të vërtetën!
E vërteta është se Edi Rama e ka lënë sigurinë e shqiptarëve në dorën e krimit të organizuar!
E vërteta është se Edi Rama shantazhon mediat dhe gazetarët që e përballin publikisht me realitetin e bashkëqeverisjes së tij me krimin, duke i rrëzuar fasadën e shndritshme që i ka kushtuar qindra milionë euro.

Përballja e turpshme dje e Edi Ramës me Ambrozian e Fax News-it, që i kërkonte llogari pse nuk emëronte ministra të brendshëm pa lidhje me krimin dhe drogën, ishte momenti kur shqiptarët panë sesi kryeministër i vendit është Agron Xhafaj, janë Habilajt dhe Balilajt.
Agresioni i djeshëm i Edi Ramës kundër gazetares së re dhe televizionit që ajo përfaqëson nuk është si dhjetëra rastet e tjera që Edi Rama ka tallur, fyer dhe ka nëpërkëmbur gazetarët!
Agresioni i djeshëm ndaj medias ishte nevoja jetike e Edi Ramës për të mbuluar skandalin “Xhafaj” dhe, nëpërmjet shantazhit e kërcënimit, të fshehë të vërtetën e dy vëllezërve: njëri, Agron Xhafaj, bos i drogës dhe i krimit të organizuar në Vlorë, tjetri, Fatmir Xhafaj, Ministër i Brendshëm, që ka vënë Policinë e Shtetit në shërbim të të vëllait trafikant.
Sot, ju ndoshta prisni fjalinë e zakonshme se Partia Demokratike dënon shantazhet dhe kërcënimet e kryeministrit nga gazetarëve dhe medias!
Por sot kjo është e tepërt! Nuk kanë kaluar 24 orë nga qëndrimi dinjitoz i Ambrozias përballë shantazhit të kryeministrit dhe video është bërë virale!
Janë me mijëra e mijëra shqiptarët që e kanë shpërndarë videon në rrjetet sociale, duke përgëzuar gazetaren e re kurajoze. Ky është dënimi më i madh për Edi Ramën!
Shumica e shqiptarëve të ndershëm nuk duan të qeverisen nga pakica e krimit, që është kthyër në pengesën kryesore për Shqipërinë Europiane!
Tani, na duhet që secili prej nesh ta tregojë çdo ditë të njëjtën këmbëngulje dhe kurajo si Ambrozia! Vetëm kështu do t’ia dalim të kemi nje qeveri që punon për shqiptarët dhe jo për krimin!
Të bashkohemi në protestë të shtunën, më 26 Maj, sepse tani është koha të mos e lëmë fatin e Shqipërisë Europiane në duart e qeverisë më antieuropiane.