Pastrimi parave, burri i Prokurores transferta qindramijëra eurosh nga ishujt ofshore

Biznesi i basteve, i konsideruar nga agjencitë të rëndësishme ndërkombëtare si “lavatriçe parash të pista” është më pak i kontrolluari nga autoritetet shqiptare. Mungesa e kapaciteteve njerëzore, por, sidomos, mungesa e dëshirës së institucioneve, ka krijuar për një pjesë të kompanive të basteve “parajsën shqiptare”.
“Lajme.al” ka realizuar një investigim, në bazë të të cilit krijohen dyshime të forta se dy kompani bastesh, me shumë mundësi fiktive, kanë krijuar një sistem për pastrim parash.
Në janar 2015, biznesmeni Alban Mësonjësi, bashkëshort i prokurores në Durrës, Ornela Rrumbullaku, merr një transfertë prej 125 mijë dollarësh nga një kompani në Qipro, e njohur si “parajsë fiskale” për krijimin e kompanisë së basteve “Timbast”.
Në Prill 2015, i njëjti biznesmen merr një transfertë prej rreth 100 mijë euro, nga një kompani e regjistruar në Panama, një tjetër vend i konsideruar “parajsë fiskale”, për krijimin e kompanisë “24Bast”.
Të dyja kompanitë, sipas dokumentave zyrtare të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, kanë selinë në të njëjtën adresë. Ato kanë pasur të dyja të njëjtin administrator, Alban Mësonjësi. Dhe, siç do të shihet më poshtë gjatë investigimit të “Lajme.al”, ato të dyja nuk kanë ushtruar asnjë aktivitet tregtar, kanë bilance zero dhe, në vitin 2016, administratori ka dhënë dorëheqjen nga të dyja kompanitë.
Të gjithë lëvizjet krijojnë dyshime të forta se regjistrimi dhe më pas largimi i administratorit dhe ortakut kryesor, Alban Mësonjësi, nga “Timbast” dhe “24Bast” janë veprime fiktive, duke krijuar një skemë pastrimi parash.
Kompania e basteve “Timbast” regjistrohet në QKR, në dt. 06.01.2015. Ortaku kryesor dhe administrator është biznesmeni Alban Mësonjësi, me 40 % të pjesëve në kapital. Në statusin e kompanisë, është shënuar se ortaku Mësonjësi ka derdhur shumën 20 milion lekë të reja për “kapital fillestar”. Kjo shumë, siç rezulton nga dokumentat, nuk është pasqyruar në asnjë dokument zyrtar.
Atij iu bashkuan në krijimin e kësaj kompanie bastesh edhe një shtetas qipriot dhe një kompani qipriote, vend i njohur si “parajsë fiskale”. Më konkretisht, bashkë-ortak me Mësonjësin ishin Charino Holding co.Limited, me seli në Nikosia, Qipro, si edhe shtetasi qipriot Christoforos Varianos, konkretisht me nga 23% dhe 20% të kapitalit. Pjesa tjetër përbëhej nga një ortak shqiptar dhe një maqedonas.