Orët e betejës në burgun e Spaçit, heronjtë që bënë historinë duke thyer burgun e diktaturës

“Diçka kishte për të ndodhur, por konkretisht se çfarë, askush nuk mund ta dinte. Gjithkush prej nesh kishte filluar të kishte një parandjenjë të keqe, një farë ankthi që dukej sikur kishte filluar të rrinte pezull mbi të gjithë ne të burgosurit e burgut të Spaçit. Po na dukej sikur hija e vdekjes po na kalonte pranë gjithnjë e më shpesh, prekte me bërryl secilin nga ne dhe largohej. Kjo ndjesi filloi të ndihej ndoshta që dy javë më parë se të shpërthente revolta e Spaçit. Po, po, më kujtohet si sot, rrëfen Ylber Merdani, banor i qytetit të Korçës, ish-i dënuar në burgun e Spaçit, dëshmitar i ditëve të revoltës. Dy javë para fillimit të revoltës, thotë ai, u duk një tufë e madhe korbash, pis të zeza, që kaluan sipër kokave tona. Ato fluturuan mbi kampin tonë me një fëshfëritje të fortë, ashtu siç ndodh kur plumbat fërkohen me ajrin dhe bënë drejt kodrave që ndodheshin përtej përroit, përballë me kampin tonë. Në atë kodër prej kohësh qëndronte e shkruar me gurë një parullë e madhe: “Popull – Parti – Enver”. Sorrat e zeza, që deri atë ditë nuk i kishim parë kurrë të shfaqeshin, u ulën mbi çdo gur të parullës së madhe. Parulla u bë krejt e zezë, ashtu si vetë korbat. Krakaritjet e tyre nisën të dëgjoheshin çdo ditë. Fillimisht, askush nuk u kushtoi ndonjë rëndësi të veçantë mbërritjes së korbave, as krakaritjeve të tyre dhe as vendqendrimit të tyre mbi gurët e parullës. Atij që iu duk e pazakonte prania e sorrave, ishte qeni ynë, i të burgosurve, që ne e thërrisnin “Tarti”. Që nga çasti i parë, kur ai ndjeu praninë e tyre, ngriti kokën përpjetë dhe nisi të angulliste me një zë të përvajshëm që të ngjallte frikë. Dukej sikur ishte paralajmërimi i vdekjeve që kishin për të ndodhur në kampin tonë. Fillimisht nuk deshëm t’u besonim as angullitjeve të Tartit, por thellë-thellë, parandjenja e keqe se diçka do të ndodhte, kishte filluar të zinte vend edhe në shpirtin tonë. Po ndodhte kështu, ndoshta nga që njerëzit e komandës së kampit po shndërroheshin gjithnjë e më shumë në katilë të vërtetë ndaj nesh, ndoshta nga që edhe zemërimi i të burgosurve po bëhej edhe më i madh. Mes njerëzve të komandës së burgut dhe të burgosurve hendeku ishte thelluar shumë. Një det i madh zemërimi qëndronte mes nesh. Të gjitha këto të bënin të besoje te parandjenja se së shpejti diçka do të ndodhte. Tashmë edhe prania e korbave që fluturonin çdo ditë mbi kokat tona dhe ndaleshin në kodrën ku ishte parulla, kishin filluar t’i jepnin kuptim parandjenjës tonë. Edhe angullimat e Tartit nuk ishin gjë tjetër veçse një dëshmi e tij, si për të na treguar se edhe ai i ishte bashkuar shqetësimit tonë”.

Tentativa për arrestimin e Pal Zefit
“Nënoficer Tuci nuk donte të tërhiqej, ishte detyrë e tij të kapte këtë të burgosur dhe ta detyronte atë të hynte përsëri në dhomat e izolimit, por Zefi vazhdonte me paralajmërimin e tij: “Askush të mos afrohet!”. Tuci kishte mbetur në një mëdyshje pothuajse të plotë, nuk ishte i sigurtë nëse duhej t’i afrohej Pal Zefit ose jo. Të burgosurit vështronin herë nga nënoficeri, herë nga kolegu i tyre. Ankthi ishte i madh. Zefi vazhdonte të shtrëngonte hekurin që mbante në dorë. Nëse ai do të rezistonte, kjo do të ishte një fitore e madhe për çdo të burgosur, por edhe e kundërta, dorëzimi pa kushte i tij do të ishte një humbje po kaq e madhe për ta. Njeriu i komandës së burgut ende vijonte të qëndronte i stepur. Për të, gjithçka po bëhej edhe më e qartë; nëse do të guxonte të afrohej, atëherë ai edhe mund të mbetej i vdekur, i goditur nga shufra e hekurit. Zemërimi i Palit ishte i madh, paparashikueshëm, i frikshëm. Hekuri në duart e tij ishte shndërruar në një armë vdekjeprurëse për gjithkënd që do të vepronte kundër vullnetit të tij. Prisnin çdo të ndodhte. Atë çast vunë re se nënoficeri hoqi dorë nga vendosmëria e tij për të detyruar Zefin të kthehej në dhomën e izolimit. Tuci kishte vendosur të kërkonte ndihmën e komandës. I vetëm do ta kishte të pamundur të ndërmerrte ndonjë hap që të rezultonte i suksesshëm. Vështrimet e të burgosurve të tjerë po bëheshin më të ashpra. Nuk ishte çudi që ata të hidheshin në sulm, madje dukeshin sikur po hidheshin… Pikërisht në këtë kohë, kur Tuci vendosi të kërkonte ndihmën e komandës, Pal Zefi, braktisi barakën ku kishte zënë vend dhe u ngjit mbi tarracën e ndërtesës, aty ku gjendeshin edhe të burgosurit e tjerë që do të niseshin për në punë. Mes të burgosurve u ndje më mirë. Çuditërisht të gjithë panë se si edhe Tarti shkoi pranë Pal Zefit, duke e vështruar çuditshëm, si për t’i thënë: “E kuptoj, asgjë nuk ka për të përfunduar me kaq”. Tarti, ky qen i çuditshëm, përcillte të burgosurit për në punë çdo mëngjes. Ai nisej me të burgosurit e turnit të parë, i çonte ata në minierë, ose më saktë deri te vendi që quhej “kthesa” dhe kthehej përsëri në kamp me ata që kishin përfunduar turnin e tretë. Më pas, çonte në punë turnin e dytë dhe sillte në kamp ata që kishin përfunduar turnin e parë. Çuditërisht, ai qen ishte gjithnjë i vëmendshëm. Edhe tani që diçka ishte duke ndodhur, ai dukej sikur përpiqej të kuptonte diçka më shumë. Tarti ishte një krijesë mjaft inteligjente; sa herë që në kamp sillnin të burgosur nga rrethet, ai u afrohej pranë dhe sillej miqësisht me ta sikur t’i kishte njohur prej kohësh, kur ndodhte që në kamp të hynin njerëz të Prokurorisë apo nga Ministria e Brendshme, atëherë ulërima e tij ishte një piskamë e vërtetë, ashtu siç kishte filluar të bënte që prej dy javësh, që nga dita e parë kur pa se mbi kamp po fluturonte një tufë e zezë korbash. Megjithatë, sido që të ndodhte, Tarti e kishte zgjedhur pozicion e vet, ai do të qëndronte si gjithnjë me të burgosurit”.

Alarmimi i komandës
“Situata ishte bërë edhe më e nderë, vazhdon të tregojë tre ditët e tmerrit të revoltës së Spaçit, Ylber Merdani. Nënoficer Tuci sapo kishte vënë në dijeni oficerin e rojës së repartit Fejzi Liçon. Ai bënte detyrën e punëtorit operativ të Sigurimit të Shtetit. Edhe ky i fundit, që me sa duket kishte mbetur i tronditur nga lajmi që sapo kishte mësuar, kishte vënë në dijeni pa asnjë vonesë oficer Sulejman Manokun, kryetarin e degës së zbatim vendimeve penale. (Gjithçka mbi veprimet e komandës do të mësohej më vonë). Drejtuesit e kampit kishin mbetur të befasuar; si ishte e mundur që një i burgosur të mos i bindej asnjë urdhëri. Komanda doli me një vendim të prerë: Pal Zefi duhej të kthehej në dhomën e izolimit një çast e më parë. E kundërta nuk duhej të ndodhte. Që nga momenti i daljes së Pal Zefit nga dhoma e izolimit e deri më tani, kur ishte dhënë urdhëri i prerë i komandës, kishte kaluar më shumë se një orë, Pal Zefi vazhdonte të qëndronte në taracë mes të burgosurve. Edhe të burgosurit prisnin të përballeshin me veprime të tjera. Befas të gjithë panë se njeru i sigurimit të shtetit, Fejzi Liço, i shoqëruar nga Mark Tuci dhe dy persona të tjerë, pasi u gjend afër me Pal Zefin, por jo aq pranë sa hekuri të arrinte mbi kokën e ndonjërit prej tyre, i kërkuan të burgosurit rebel që të kthehej në dhomën e izolimit. Ndërkaq, si për të treguar se ishin miqësorë me të burgosurin, pavarësisht se ai kishte thyer rregullat, tentuan të hedhin edhe një hap tjetër përpara, por hekuri që Zefi mbante në dorë u ngrit përpjetë. Nëse do të ndodhte që punonjësit e komandës të bënin hapin fatal, atëherë dikush prej tyre do të gjente vdekjen e sigurtë. Oficerët dhe nënoficerët u shtangën. Kuptuan se nuk mund të bënin dot asgjë. Vështruan nga të burgosurit. Edhe sytë e tyre ishin errësuar edhe më shumë, vështrimet ishin bërë edhe më të ftohta dhe më të frikshme. Të gjithë dukeshin sikur thoshin: “Largohuni që këtej, Pal Zefi është i pafajshëm, ai nuk mund të kthehet më në dhomën e izolimit, ai nuk dëshiron të punojë dhe për këtë askush nuk mund ta detyrojë”. Pal Zefi po ndjente mbështetjen e kolegëve”

Luftë nervash
“Megjithatë edhe njerëzit e komandës nuk mund të tërhiqeshin. Tërheqja e tyre do të dukej mposhtje, shenjë frike, do të vlerësohej si një humbje dhe fitore e të burgosurve. Të burgosurve nuk u duhej lënë asnjë shkak që të besonin se ata ishin më të fortë, se ata mund të fitonin, se atyre mund t’u plotësoheshin qoftë edhe një herë të vetme dëshirat e tyre. Kjo nuk mund të ndodhte. Ndërkohë në sheshin e burgut u dukën punonjës të tjerë të kampit që po vinin në ndihmë të Fejzi Liços. Ky i fundit hodhi mbi të burgosurit një vështrim triumfator. Tashmë mund të thuhej se njerëzit e komandës ishin të mjaftueshëm për t’u hedhur në sulm për arrestimin e Pal Zefit. Pasi i kërkuan edhe një herë që të dorëzohej, vendosën të bënin përpara. Në ndihmë të punonjësve të komandës erdhi edhe Medi Noku, kryetar i zyrës teknike (një i burgosur). Gjatë këtyre sekondave, hekuri në duart e Pal Zefit kishte bërë një hark, duke u ngjitur lart dhe pas kësaj, po ashtu si një shkreptimë, ishte ulur me shpejtësi mbi kokën e Nokut, por ky i fundit që kishte pikasur se çdo të ndodhte me të, i ktheu kurrizin, duke dashur tashmë të largohej, por shufra e hekurit kishte zbritur mbi kurrizin e Nokut, i cili atë çast u gjend i shtrirë për tokë”.

Kishin ikur të gjithë
Në ambientet e jashtme të burgut të Spaçit nuk shihje askënd tjetër, veçse të burgosur dhe rojet që nuk dinin se çfarë duhej të bënin. Thuhej se gjithë njerëzit e komandës ishin mbledhur në një nga zyrat e tyre dhe debatonin mes panikut dhe frikës se si mund të dilnin nga kjo gjendje, në të cilën e shihnin veten të mbërthyer. Komisari i repartit Shahin Skura dhe Sulejman Manoku tentuan të bisedonin me të burgosurit, që këta të fundit të zbatonin rregullat dhe ligjet, por askush prej të dënuarve nuk iu bind. Të burgosurit u përfaqësuan nga Syrja Lame dhe Njazi Bylykbashi. (Të dy u ridënuan pas revoltës). Drejtuesit e komandës ishin larguar përsëri të pafuqishëm. Tashmë askush prej tyre nuk po dukej në shesh. Një zjarr i madh ishte ndezur në shpirtat e të burgosurve. E kishin pritur këtë çast. Kishin gati dy javë që përcilleshin nga një parandjenjë se në kampin e tyre diçka kishte për të ndodhur. Paralajmërimi fillimisht kishte ardhur nga tufa e korbave pis të zeza që fluturonin mbi kamp dhe uleshin mbi gurët e parullës, “Popull – Parti – Enver”, por edhe nga Tarti që angullinte përvajshëm e bëhej më i shqetësuar në çdo ditë që kalonte. Situata vazhdonte të ishte alarmante. Ende nuk po gjendej një zgjidhje. Ndërhyrja me forcë, nga ana e komandës shihej si e pamundur. Koha kalonte. Njerëzit e komandës ishin duke pritur edhe mbërritjen e grupit operativ të Degës së Punëve të Brendshme të Rrëshenit. Ata mbërritën rreth orës 16:00. U mblodhën përsëri në një nga zyrat e komandës dhe nisën të marrin në shqyrtim situatën. Kaloi një orë dhe askush nuk kishte mundur të dilte me një vendim. Kaloi edhe një orë tjetër dhe përsëri heshtje. Të burgosurit ishin në ankth. Çfarë do të ndodhte vallë? Nuk ishin të sigurtë nëse komanda kishte nisur të ndihej e pafuqishme apo ndonjë e papritur tjetër po përgatitej nga ana e tyre. Të burgosurit vazhdonin të hidhnin parulla të tilla, si “E duam Shqipërinë të lirë!”. “Rroftë liria!”, “Rroftë Evropa e lirë!”, “Jemi të pafajshëm!” etj. Unë, rrëfen, Ylber Merdani, së bashku me Ulsi Pashollarin, nisëm të ngjisnim me marmalatë nëpër mure parulla të tilla, ku kërkonim ngritjen e një komisioni amerikan për verifikimin e dosjeve”.

“Kali i Trojës”
“Megjithatë rreth orës 18:00, policë dhe njerëz të Sigurimit të Shetit, nisën të vinin në zbatim planin e “Kalit të Trojës”. Ata u dërgonin lajm të burgosurve se dikush i kërkonte dhe pasi arrinin t’i shkëpusnin, duke i nxjerrë deri në anën e pasme të kuzhinës, i arrestonin, sepse ai vend ishte i pakapshëm nga syri i të burgosurve të tjerë. Me të njëjtin plan arrestuan edhe Pal Zefin. Të burgosurit e panë arrestimin e tij në çastet e fundit. Po atë çast u dëgjua zëri i fuqishëm i Dervish Bejkos. “Mos e arrestoni mor të poshtër!” Edhe të burgosurit e tjerë u hodhën në përleshje, por tashmë Zefi u kishte ikur nga duart. Fill pas arrestimit e kishin nisur me urgjencë drejt Degës së Punëve të Brendshme të Rrëshenit. Të njëjtën skemë kishin përdorur edhe me Syrja Lamen. Tashmë ishte çasti kur po tentonin të arrestonin dhe Pavllo Popën, por ndërkaq turma e të burgosurve e kishte kuptuar se çfarë po ndodhte me njerëzit e vet. Instinktivisht nisën të grumbullohen e të rrinë bashkë, pranë njëri-tjetrit. Një pjesë e të burgosurve kishte zënë vend mbi tarracën e dushit dhe pjesa tjetër në oborrin e kampit. I dënuari Pope po u thoshte oficerëve se ishte i gatshëm të vinte vetë pa u lidhur, por ndërsa po ecte i shoqëruar nga nënoficerët, turma lëvizi si një përbindësh. Thërritjet ishin të forta dhe të fuqishme. Lëvizjet e tyre kishin vetëm një kumt: “Mos shko vëlla, ktheu këtu tek ne, nëse shkon me ta, nuk ke për t’u kthyer më kurrë!”. Pope bëri edhe dy hapa para dhe pastaj qëndroi në mes të rrugës, si një gur që nuk mund të rrokulliset më tej dhe tha: “Po shkoj te shokët”. Dyluftimi ishte i heshtur. Ata nuk mund të përdornin as dhunë, as forcë, sepse turma mund të shndërrohej në një përbindësh. “Mirë, i thanë, shko, por dije se ne do të të marrim, ti nuk mund të shkosh dot asgjëkundi tjetër” . Pope u la i lirë. Ishte një fitore tjetër e të burgosurve. Tashmë duhet të ishin ata që të hidheshin në ofensivë. Ishte çasti kur guximi i komandës ishte në rënie, turma po fitonte. Atë çast morën vesh se njëri prej hetuesve dhe prokurori ndodhej në infermieri. Kjo u nxiti dëshirën që t’i merrnin peng dhe pas kësaj të ishin ata që të diktonin kushtet e tyre, por ata kishin mundur ta pikasinin atë çka po thurrej prej të burgosurve. Rojet e brendshme të kampit arritën t’i nxjerrin nga infermieria, duke shfrytëzuar një dalje tjetër. Edhe te radhët e hetuesve dhe prokurorëve kishte hyrë paniku. Çdonjëri prej tyre, edhe pse duhej të tregohej trim, ndjente frikën e vdekjes për shkak të ndonjë sulmi të papritur nga njerëzit e rebeluar. Sipas tyre, bisha ishte bërë e rrezikshme. Numri i të burgosurve që po ktheheshin në protagonistë po bëhej gjithnjë e më i madh. Ata që hidhin parulla kundër pushtetit popullor po bëheshin gjithnjë e më të shumtë. Befas kishte nisur përleshja e radhës. U gjakosën shumë veta. Së fundi, njerëzit e komandës ishin larguar përsëri. Pas kësaj u duk sikur gjithçka u qetësua. Ata kërkonin të krijonin përshtypjen se ai që e kishte fajin, Pal Zefi, u arrestua, me të tjerët nuk kemi asgjë. Gjithkush duhet t’u bindet rregullave dhe ligjeve në fuqi dhe asnjë masë nuk do të merret. Kishte qenë vetëm një heshtje e rreme”.

Përballë me rojet
Turma po bëhej e papërmbajtshme, na thotë Ylber Merdani. Të burgosurit kishin mbetur ballë për ballë vetëm me rojet e brendshme të burgut. Njerëzit e komandës vazhdonin të mbeteshin të mbërthyer nga paniku. Erdhi një çast, kur të burgosurit deshën të sulmonin rojet me gjithçka mundeshin. Nëse do të ndodhte kjo gjë, sigurisht që kasaphana e vërtetë do të ndodhte në anën e të burgosurve. Por edhe drejtuesit e komandës ndoshta nuk e donin një tragjedi të tillë. Nuk dihej se çfarë mund të ndodhte pas kësaj, nëse në këto ambiente, prej trupave të të burgosurve do të derdhej një lumë gjaku. Ata ishin të moshave të ndryshme, nga krahina të ndryshme, shumë prej tyre i kishin futur në burg vetëm pse kishin influencë të madhe në krahinat dhe zonat ku jetonin. Turma e të burgosurve bëri përpara. Dy forcat kundërshtare u vunë përballë njëra-tjetrës. Të burgosurit bënin një hap para, rojet një hap prapa. Qëndronin një çast, matnin me sy forcat e njëri-tjetrit, kuptonin kush ishte në avantazh dhe pastaj hidhej edhe një hap tjetër, rojet sërish bënin prapa. Kështu ndodhi deri sa njerëzit e armatosur u tërhoqën nga zonat e brendshme dhe dolën në zonën e ndaluar. Vetëm aty nuk mund të shkonin të burgosurit. Dalja në zonën e ndaluar do të thoshte vdekje e sigurtë. Nëse ndodhte kështu, ushtarët do të ishin të detyruar të qëllonin. U shpresua që edhe turma të ndalej, sepse nuk mund të përballej me vdekjen, por fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. Turma e të burgosurve kishte vendosur të shkonte e gjitha drejt vdekjes së sigurtë. Ishte pikërisht ky çast, kur u dha një urdhër tjetër, ushtarët duhet të dilnin jashtë zonës së rrethimit”.

Të burgosurit
“Tashmë gjithçka ishte në dorë të të burgosurve. Komanda nuk kishte asnjë mundësi që të vendoste rregullin e mëparshëm. Sikur të mos mjaftonte dueli që kishin fituar me rojet e burgut, kur të burgosurit panë se gjithçka kishte mbetur në dorë të tyre, u drejtuan nga dhomat e izolimit dhe nxorën që andej shokët e tyre të izoluar. Ishte një fitore që po shijohej nga të gjithë. Turma ishte kthyer në një çmenduri të vërtetë. Nuk dihej se çfarë do të ndodhte më tej, ndoshta të burgosurit do të tentonin të merrnin edhe zonën e ndaluar. Frika, se mund të ndodhte edhe kështu, detyroi ushtarët që të qëllonin me breshëri automatiku nga të gjitha drejtimet, mbi kokat e të bugosurve, por kësaj radhe askush nuk po e ndjente frikën. Për ta, ajo që po ndodhte atë çast, ajo breshëri plumbash, ishte vetëm një shpërthim fishekzjarresh. Shumë prej të burgosurve nisën të hidhin parulla të tilla si: “Ushtria është me ne”, “Populli është me ne dhe kundër jush”, “Shokë ushtarë, dorëzoni armët!” Në të gjitha ambientet e burgut gjeje të burgosurit grupe-grupe. Skënder Daja, Dervish Bejko dhe Bashkim Fishta filluan të mbajnë fjalime, të recitojnë poezi me përmbajtje kundër pushtetit popullor e të bënin thirrje për kryengritje etj. Ekzistonte vetëm një frikë, të burgosurit mund ta shpërthenin kampin. Ata tashmë ishin shndërruar në një tmerr të vërtetë”.

Nata e parë e revoltës
Dita e parë e revoltës kishte shënuar fundin e vet dhe nata kishte filluar të binte. Nuk kishte asnjë dyshim se për drejtuesit e komandës së kampit do të ishte një natë ferri. Gjithë strategjia e tyre ishte ta shtynte këtë natë të frikshme pa ndonjë provokim ndaj të burgosurve, pasi në të kundërt e keqja mund të përhapej shumë shpejt dhe askush nuk do të ishte në gjendje të parashikonte se kush do të ishte fundi i saj. Ata mund të dilnin nga burgu dhe të përhapeshin në të gjithë Shqipërinë. Kur ende mëngjesi nuk ishte zbardhur mirë, drejtuesit e komandës kishin marrë nga rojet njoftimin se në katin e tretë të ndërtesë së tyre, të burgosurit kishin ngritur flamurin shqiptar me shqiponjën dykrenare. Mbi bezen e jorganit të Neim Pashait, matjani Mersin Vlashi pikturoi shqiponjën. Ndrec Çoku gjeti një shkop dhe e përdori atë në vend të shtizës së flamurit. Ne e pagëzuam Ndrecën me emrin e ri, “Ndrec Flamuri”. Megjithatë, ndërsa flamuri ngrihej mbi ndërtesë, ushtarët nisën të qëllonin me breshëri, por fatmirësisht nuk pati të vrarë. Sigurisht, të qëlloje në ato çaste mbi trupin e të burgosurve do të thoshte t’i hyje një aventure pa krye. Gjithë kampi ishte në duart e të burgosurve. Dëshpërimi dhe urrejtja e tyre i ngjante një deti të pafundmë. Mëngjesin e asaj dite, në kampin e Spaçit mbërriti edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme. Pasi u njoh me situatën, ai mori përsipër t’u drejtohej të burgosurve e të na kërkonte që ne t’i ktheheshim rregullit dhe zbatimit të ligjit. Zëvendësministri foli relativisht gjatë, duke u përpjekur të na tregonte forcën e shtetit, ndëshkimin që do të binte mbi të gjithë ata që kishin marrë përsipër të thyenin ligjin, dhe vdekjen që do të merrte gjithkush që kishte guxuar të dilte kundër pushtetit popullor. Qëllimi i vetëm i tij ishte përhapja e panikut mes të burgosurve, që këta të fundit të kuptonin se hakmarrja ndaj tyre do të ishte e madhe dhe e pamëshirshme. Vetëm dorëzimi pa kushte mund të shpëtonte jetët e tyre.

Pritja
Pas fjalës së gjatë të zëvendësministrit, pritej që të burgosurit të shpallnin dorëzimin e tyre, por çuditërisht, askush prej të burgosurve nuk iu bind thirrjeve të tilla, edhe pse gjithkush e dinte se disa prej tyre do të dënoheshin me vdekje. Korbat pis të zeza vazhdonin të kalonin mbi kampin e tyre për t’u ndalur më pas në kodrën përballë, ku shkruhej me gurë një parullë e madhe. Ndryshe nga sa shpresonte zëvendësministri, të burgosurit në vend të përgjigjes i nisën një të burgosur, që t’i çonte atij një zarf ku të dënuarit i kishin renditur të gjitha kërkesat e tyre. Veprimi i të burgosurve ishte një shpërfillje ndaj forcës që kishte treguar shteti përmes një zëvendësministri. Këtë gjë nuk mund ta pranonte kurrsesi njeriu i dërguar nga qeveria, do të ishte një përulje e pashembullt para armikut të klasës. Korrieri i të burgosurve u kthye mbrapsht. Megjithatë, në emër të të dënuarve Paulin Vata, Hajri Pasho dhe Nuri Stepa, jo vetëm që nuk e përfillën këtë thirrje, por iu kundërvunë me këto kërkesa: Të mos shpallet asnjë fajtor, të mos punojë askush në minierë, veçse në ndërtim etj., të kishte amnisti, sepse që nga koha e prishjes me BS, nuk kishte patur, të shqyrtohej çështja jonë, e të liroheshim, sepse ishim të dënuar pa faj etj. Publikimi i kërkesave të tyre, ngrohu zemrat e gjithë të dënuarve. Po, ata kishin patur kurajon, t’ua thoshin njerëzve të qeverisë në sy dhe ballëpërballë gjithçka që ndjenin, ashtu sikurse nuk kishin pasur asnjëherë frikë të tregonin hapur urrejtjen ndaj pushtetit popullor dhe udhëheqjes së partisë. Ata kishin qenë gjithnjë njerëz të lirë. Ditët e revoltës së Spaçit po përjetoheshin edhe si një ditë feste të madhe. Dikush thërriste “Rroftë Shqipëria e lirë”, “Ne jemi me Evropën e lirë”, “Poshtë komunizmi, etj. Askush prej tyre nuk dëshironte t’i shmangej kësaj përballje të madhe që me siguri nuk do të harrohej asnjëherë.

Përmbyllja
Kur kishte filluar të binte mbrëmja, u mësua lajmi se gjithë kampi ishte pushtuar nga tre rrethime ushtarësh. Për të treguar se sa të shumtë ishin ata në numër, gjatë gjithë natës ndezën zjarre përgjatë kodrave, madje edhe aty ku shkruhej me gurë parulla “Popull – Parti – Enver” dhe uleshin korbat e zeza. Vazhdimisht rreth kampit dëgjoheshin zhurma makinash, manovrime tankesh, lëvizje armatimesh, mbushje dhe shkrehje armësh. Sipas lajmeve që mbërrinin kohë pas kohe, korpusi i Burrelit kishte mbërritur i gjithi aty, kishin mbërritur edhe sambistët të pajisur me armë dhe shkopinjë druri. U tha gjithashtu se pushtetarët e asaj kohe kishin vendosur të vinin në përdorim edhe lëndët kimike. Pas kësaj, gjithë të burgosurit ta gjenin veten në gjendje të fikti, ndërsa ushtria do të bënte arrestimin e menjëhershëm të tyre. Në rast nevoje as plumbi nuk do të kursehej. U pre edhe furnizimi me ujë. Për momentin ne mundëm të përdornim vetëm ujin që kishte mbetur në skaltabanjat e dusheve. Përballja do të ishte një tmerr i vërtetë. Dhe ashu ndodhi, ata që kundërshtuan, i rrihnin me bishtat e lopatës dhe i sillnin aty me barela, si “Dashnor Kazazi, Gëzim Medolli, Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko, Demir Pojani etj. Ata ishin shumë dhe të gjithë të armatosur…Dikush erdhi me listën e arrestimeve, u lexuan rreth 100 emra të burgosurish. Do të ishin lexuar edhe emra të tjerë nëse Feçor Shehu nuk do të ngrinte dorën për të thënë boll. Në lishte kishte njerëz të moshuar që kishin bërë nga 20-30-vjet burg, por që dihej se këta persona kishin qenë me influencë në krahinat e tyre si Sami Dangëllia, Hodo Sokoli etj., ndaj dhe ndëshkimi për ta do të ishte i pamshirshëm. Që të mos dëgjoheshin rrënkimet e njerëzve që torturoheshin, policët këndonin: “Ne përpara po marshojmë, me Enverin fitimtar”.
4 prej tyre u dënuan me pushkatim: Skëndër Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajri Pasha. Askush prej tyre nuk kërkoi mëshirë, ndërsa 8 të tjerë u dënuan më 25 vjet burg. Këto dënime u dhanë brenda ditës. Ndërsa në ditët të vijim, kampi do të vihej në gjendje hetuesie. Në brendësi të kampit u hapën 7 qendra hetimi, ku do të pyeteshin të gjithë, pa përjashtim, gjithë të burgosurit. Për 6 muaj me radhë u ndalua krejtësisht dërgimi apo marrja e letrave dhe pakove, u ndaluan takimet me të afërmit dhe gjithçka tjetër. Askush nuk dinte se çfarë po ndodhte me të burgosurit. Një pjesë i çuan në burgun e Tiranës, një pjesë tjetër në atë të Rrëshenit, dikush lirohej, ishin të shumtë ata që ridënoheshin. Megjithatë të gjithë kujtonin fjalët e Skënder Dajës, të cilit edhe kur i thanë: “i pandehur kërko falje dhe ne do të të falim”, ai u përgjigj: “Edhe sikur të kisha patur dhjetë jetë, dhjetë herë të njëjtën gjë do të bëja. Do të luftoja të isha i lirë”. Me këto fjalë i dha fund rrëfimit të tij, Ylber Merdani, të cilit gjithnjë i kujtohen gjithashtu edhe korbat e zeza që ishin shfaqur mbi kampin e tyre, por edhe qeni i të burgosurve, Tarti që gjithnjë dinte të ishte në krah të të burgosurve. A thua se kuptonte më shumë se njerëzit!