Kim Mehmeti: ‘Shqipëritë’ tona të drejtuara nga burrështetas të kapur peng nga narkomafia?!

Shkrimtari i mirënjohur, Kim Mehmeti shprehet se, Shqipëria bëhet shtet, kur ai vetë, apo ndonjë i afërm i tij, nuk është i lidhur me narkomafian! Në një status në Facebook, Mehmeti shkruan se, është e mundur që partia pushtetmbajtëse në Shqipëri të mos ketë në kreun e saj asnjërin që nuk është i lidhur me qarqet kriminele e narkomafioze.
“Shqipëria bëhet shtet ku nuk vlen gjë cilido që, ai vetë, apo ndonjë i afërm i tij, nuk është i lidhur me narkomafian!
Ministri i mëparshëm i Punëve të Brendshme të Shqipërisë është i akuzuar se ka bashkëpunuar me banda narkomafioze?! Ministri i tanishëm i policisë së Shqipërisë e paska vëllaun të dënuar për trafikim droge! Është e mundur që partia pushtetmbajtëse në Shqipëri të mos ketë në kreun e saj asnjërin që nuk është i lidhur me qarqet kriminele e narkomafioze?!
Dhe kur i dëgjon akuzat që njëri tjetrit ia drejtojnë burrështetasit e Tiranës dhe Prishtinës, të kap frika dhe s’ke si mos e pyesësh veten: mos vallë ‘Shqipëritë’ tona janë të zaptuara nga partitë që u shërbejnë bandave kriminele dhe, mos ato janë të drejtuara nga burrështetas të kapur peng nga narkomafia?! Çka nuk na shpërlanë nga përgjegjësia as neve që i mbështetëm dhe i votuam ata!
Kosova ishte dhe mbeti shtet, lirinë e të cilit, e shpallën pronë të veten ‘komandantët’ e djeshëm, e politikanë të sotëm, që besojnë se mund t’u takojë edhe lavdia e djeshme, edhe hajnia e sotme! E sa i përket shqiptarisë së Maqedonisë, ajo vazhdon të mbytet në baltën e injorancën politike!”, shprehet Kim Mehmeti.