Gazetari që u kërcënua pse denoncoi trafikun e drogës me avionë: Ja pse e mbështes protestën e opozitës

Nga Telnis Skuqi

Kam disa ditë të përpiqem të shkruaj disa rrjeshta falenderimi, por ndihem i paplotësuar që nuk ndodhem pranë jush, pasi autoritetet norvegjeze e refuzuan kërkesën time për të shkuar në atdhe, për të marrë pjesë në PROTESTËN E 26 Majit, me argumentin, se: “Shqipëria ende nuk është një vend i sigurtë”.
U largova në fshehtësi nga Shqipëria afro tri vite më parë, për të mbrojtur familjen time.
Ika jashtë dëshirës dhe vullnetit tim, duke lënë pas 40 vitet e mia të jetës.
Ato u fshin si me një të rënë lapsi, sepse “gabimi” i jetës sime ishte se unë isha i dashuruar me profesionin tim.
Personalisht i kisha të gjitha mundësitë ta bëja të zezën të bardhë, apo të bardhën të zezë, por pasioni im për gazetarinë, dhe i vlerësuar me çmime kombëtare dhe ndërkombetare për gazetarinë, nuk më jepte të drejtë të devijoja nga profesioni që unë e ushtroja prej afro 20 vitesh.
Për herë të parë kam raportuar për kultivimin e hashashit 15 vite më parë, por hashashizimi i Shqipërisë morri përmasa të frikshme pas qershorit të 2013.
Nuk ishte rastësi që i sapo i punësuar si mekanik pranë Ministrisë së Brendshëm, Ardian Serezi, u kap me mbi 1 ton hashash në rrugën kombëtare Gjirokastër-Tepelen.
Nuk ishte rastësi që sapo erdhën në pushtet rilindasit e kthyen rrugën e re Kardhiq-Sarandë pistë avioni për transportimin e lëndës narkotike.

Nuk ishte rastësi që ditën që unë guxova të publikoj një investigim, po atë ditë jeta ime u vu në rrezik.
Nuk ishte rastësi që grupet kriminale më postuan në apartamentin tim një kokë dhie, duke tmerruar familjen time.
Nuk ishte rastësi që ditën ku lideri i Surrelit ishte në Francë për të marrë pjesë në funeralin e 7 gazetarëve të vrarë në redaksin e tyre, dhunohet fizikisht 50 metra larg Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës.
Nuk ishte rastësi, që një e droguar sulmon bashkëshorten time në apartamentin tim, në prani të fëmijëve të mi.
Nuk është faji im, që tri javë pasi publikova investigimin tim, një avion i mbushur me hashash bie si mushkonjë në gjirin e Divjakës.
Nuk është faji im, që ushtria dhe policia vihet në dispozicion të grupeve kriminale.
Nuk është faji im, që një trafikant, kushëriri i largët i Habilajve, i besohet Ministria i Brendshme.
Nuk është faji im, që një Ministër i Brendshëm bredh rrugëve të Europës me automjetin e shitur.
Nuk është faji im, që një kryeministër nuk ka kush t’i shkruaj për Roshit, Frrokut, Ndokës, Xhuvanin, Shullazit apo për dasmën mbretërore me lekët e mamasë të Erionit.
Nuk është faji im, që lideri i Surrelit cakton si pasardhës të kushëririt të Habilajve vëllain e Agron Geron Xhafës.
Prandaj unë doja të isha fizikisht i pranishëm në PROTESTËN e 26 majit, sepse unë dua t’i shtrëngoj dorën gazetarit investigativ, Jetmir Olldashi, pasi me pak karburant sfidoj me profesionalizëm imazhin e një qeverie që gënjeshtrën e ka kthyer në art.