Fitorja e parë e Trump në luftën tregtare me Kinën, Pekini nis tërheqjen

Kina njoftoi të martën se do të ulë tarifat për shumicën e makinave të importuara, nga 25 për qind në 15 për qind, duke filluar nga 1 korriku.
Njoftimi i ministrisë së financave vjen pasi Presidenti Xi Jinping premtoi muajin e kaluar të ulë detyrimet tatimore për importet dhe të lehtësojë kufizimet mbi pronësinë e industrisë kineze të makinave.
Presidenti amerikan Donald Trump e ka përmendur disa herë tarifën prej 25 për qind ndaj automjeteve, si një pengesë të rëndësishme tregtare, duke tërhequr gjithashtu vëmendjen ndaj deficitit tregtar amerikan me Kinën.
Të dielën, Sekretari amerikan i Thesarit Stiven Mnuchin tha se të dy vendet “kanë bërë përparim shumë të rëndësishëm” dhe se gjatë negociatave të fundit “kanë rënë dakord mbi pikat e përgjithshme” me qëllimin për të zgjidhur problemet tregtare. Sipas tij, Kina ka rënë dakord të blejë më shumë mallra amerikane për të “zvogëluar ndjeshëm” hendekun tregtar.
Sipas presidenti Trump, falë marrëveshjes do të përfitojnë fermerët amerikanë.
Si nisi lufta
Presidenti amerikan i ka kërkuar zyrtarëve të konsiderojnë tarifa të mëtejshme prej 100 miliardë dollarësh ndaj Kinës që do t’i shtohen atyre me vlerë prej 50 miliardë dollarësh të propozuara ndaj qindra produkteve kineze të importit.

Kërkesa vjen pas kërcënimeve të Kinës se do të vendoste tarifa ndaj 106 produkteve kyçe amerikane. Përshkallëzimi i tensioneve mes Pekinit dhe Uashingtonit ka trazuar tregjet elektronike gjatë javëve të fundit.
Analistet këmbëngulin se një luftë tregtare mes dy fuqive do të demtonte ekonominë globale, duke i kërkuar palëve të dialogojnë. Më herët gjatë vitit, Shtetet e Bashkuara kërcënuan të tarifonin me 25 përqind importet e çelikut dhe 10 përqind ato të aluminit.
Kina u përgjigj këtë muaj me tarifa shpaguese prej 3 miliardë dollarësh kundër një sërë produkteve amerikane, përfshirë mishin e derrit dhe verën.
Pekini tha se ishte i detyruar të mbronte interesat dhe prishjet e balancave të shkaktuara nga masat amerikane. Ndërkaq, javën e kaluar Uashingtoni publikoi detajet e propozimit të ri për të tarifuar edhe 1300 produkte të mëtejshme kineze me vlerë prej 50 miliardë dollarësh, siç tha, për shkak të praktikave të padrejta te Pekinit ndaj pronës intelektuale.
Edhe në këtë rast nuk vonoi reagimi i Kinës, e cila vuri në shënjestër 106 produkte të rëndësishme nga Shtete e Bashkuara me tarifa që kapnin të njëjtën vlerë prej 50 miliardë dollarësh.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë e cilësoi si të padrejtë kundërpergjigjen e Pekinit. “Kina ka vendosur të dëmtojë fermerët dhe prodhuesit tanë. Kështu, përballë këtyre masave të padrejta kam udhëzuar zyrtarët e lartë të tregtisë të konsiderojnë nëse tarifat shtesë prej 100 miliardë dollarësh do të ishin të përshtatshme”, ishte komenti i Turmp. Ai tha gjithashtu se kishte kërkuar implementimin e një plani për mbrojtjen e interesave të fermerëve.
Duket se gjërat kanë nisur të ndryshojnë dhe Kina ka hedhur hapin e parë të tërheqjes përballë presionit të Trump.