E bujshme, Platini zbulon trukimin në “Francë ‘98”!

Michel Platini ka zbuluar atë që e quan “hile” në momentin e shortit të Kupës së Botës 1998 për të pasur sa më shumë shanse të Franca të mos ndeshej me Brazilin, deri në finale.
Veprimtaria që u zhvillua në Francë u fitua nga “gjelat”, në suksesin e tyre të parë dhe të vetëm në një Botëror, pikërisht duke mundur Brazilin, 3-0 në finale. Ish-presidenti i UEFA pohoi se francezët u ndihmuan dhe nga shorti…
“Kur organizuam kalendarin ne bëmë një hile, tha Platini për “France Bleu Sport”. Nëse ne do të fitonim grupin tonë dhe Brazili do të fitonte grupin e tij, atëherë nuk do të ndesheshim bashkë deri në finale”.
Franca ra në Grupin C, ndërsa Brazili në Grupin A dhe në momentin që të dyja ekipet dolën në vendin e parë, plani i vendasve u quajt i suksesshëm.
Platini, që ishte kryetari i komitetit organizativ të atij botërori, shtoi: “Punuam gjashtë vjet për të organizuar këtë veprimtari dhe normalisht përdorëm këtë hile të vogël. Si mendoni se vendet e tjera organizatore nuk e kanë bërë në të kaluarën? Francë-Brazil ishte finalja që të gjithë donim. Realizuam një ëndërr”.