Çfarë nuk bëri Xhafa në një vit, e zbuloi Jetmiri në një ditë

Ergys Mërtiri28575914 954410638055761 3899445042371271937 n

Një ndër pretendimet e atyre që po e mbrojnë Xhafën me dhëmbë, është se ai është ministër i suksesshëm dhe një zyrtar serioz, i cili po pastron policinë nga të inkriminuarit nëpërmjet vetingut të brendshëm dhe po lufton seriozisht trafikun e drogës.
Në fakt, kështu është thënë edhe për Tahirin. Policia që duam, ishte slogani që frymëzoi Ramën për të gjithë vendin. Policia me makina të bukura, me biçikleta sportive, uniforma të reja, e femra simpatike, ndryshe nga ajo e policëve barkderrë të dikurshëm, u bë imazhi i një institucioni që të merrte në qafë për nga pamja.
Piari i Xhafës po bëhet ndryshe. Ai është përqendruar tek një proces site, që pretendon se do pastrojë policinë nga të inkriminuarit. “Vetingu në polici”, ka qenë togfjalëshi magjik i tij, për të prodhuar imazhin e zyrtarit të hekurt, që po vendos rregull në polici. Në fakt, ai thjesht po xhiron retorikën e propagandës, në punë pa bereqet.
Policia është qelbur dhe qelbet nga koka, jo nga barku i fryrë birrash i policëve të shërbimit, as nga flirtet e patrullave me spaçiatorët e lagjeve.
Në realitet Xhafa nuk ka asnjë rezultat. Përkundrazi, rastet që i janë dhënë kanë treguar se nuk ka vullnet të ndëshkojë krimin. Një ngarkesë kokaine prej 600 kilogramësh, u dekonspirua nga policia shqiptare pavarësisht se po survejohej prej javësh nga partnerët kolumbianë dhe ata italianë.
Operacioni kapi vetëm pluhurin e bardhë dhe dy hallkat e fundit të zinxhirit të trafikut, që janë veç bishti i kavallit.

Por dështimet janë të përditshme. Zbulimet rutinë të sasive kolosale të drogës nga vendet fqinje, si dhe mosasgjësimi i asnjë rrjeti apo grupi kriminal në vend, tregon se policia është në gjumë.
Më sakt, bën sikur fle, pasi kushdo e kupton se, nuk ka sesi të ketë vullnet për të luftuar trafiqet dhe trafikantët një ministër që ka trafikant, me vendim gjykate, të vëllanë e tij.
Investigimi i gazetarit Jetmir Olldashi tregoi, ndër të tjera, pikërisht mungesën e thellë të vullnetit për të luftuar drogën nga policia shqiptare. Dështmitë e provuara prej tij tregojnë se Vlora eshte kthyer ne nje hambar hashashi dhe policia nuk bën asgjë për ta ndaluar.
Nëse një gazetar investigativ, me një xhiro të vetme, arrin të mbledhe lehtesisht aq kontakte, si ka mundësi që policia nuk arrin të bëjë asgjë me gjithë mjetet që ka në dispozicion?
Është e kuptueshme se, kjo polici nuk është se nuk mundet, por nuk do. E nëse nuk do, për ç’arsye tjetër mund ta bëjë këtë, përveç përfshirjes së saj në zullum?! Rrotulloje nga të duash, ministri dhe i vëllai të dalin përpara në çdo arsyetim, ndaj, sado t’i shkatërrojë provat Arta Marku, nuk ka sofizëm në botë që mund të na ofrojë një skemë logjike shpejguese që ta nxjerrë Xhafajn të pastër.
Për këtë arsye, përpjekja për tu mbrojtur duke pranuar paaftësinë para inkriminimit, nuk bind njeri. Po të jetë kështu, të vendosin Jetmirin ministër të brendshëm, sepse ia doli që, me një rrugë të vetme në Vlorë, të zbulojë më shumë trafikantë se vetë ministri në një vit.