Çfarë i bën trupit tuaj agjërimi

658

The Independent
Teksa mbi një miliardë myslimanët e botës kanë nisur agjërimin në Muajin e Shenjtë të Ramazanit – një prej pesë kolonave të Islamit – ka disa shqetësime se ky vit mund të jetë veçanërisht sfidues, teksa ndjekësit do të duhet të rrijnë nganjëherë deri 17 orë në ditë pa ushqim dhe ujë, si një test i forcës personale dhe komunikimit me Allahun.
Megjithatë, nëse bëhet ashtu si duhet – dhe nëse myslimanët e kanë përgatitur mendjen dhe trupin e tyre në prag të muajit të shenjtë – Ramazani mund të ketë shumë të mira nga pikëpamja shëndetësore.
Pavarësisht se mund të ndihet një farë dhembje zemre, irritueshmëri, dehidratim dhe rënie e niveleve të përqëndrimit – të gjitha të pritshme – Dr. Razeen Mahroof, një anestezist nga Oksfordi, ka ndihmuar Institutin Kombëtar të Shëndetit në Britani me një udhërrëfyes për një agjërim të suksesshëm gjatë ramazanit, dhe thotë se kjo kohë e vitit nuk mendohet gjithmonë si një mënyrë për të humbur peshë, sepse aspekti spiritual theksohet më shumë se sa aspekti shëndetësor. Megjithatë, shton ai, “është një shans shumë i mirë për të patur edhe dobi fizike”.
Një prej keqkuptimeve më të përhapur për Ramazanin është se të gjithë myslimanët duhet të marrin pjesë. Megjithatë, nuk është kështu për të sëmurët dhe të dobëtit, dhe ka përjashtime, duke përfshirë gratë shtatzëna, të moshuarit dhe shumë të rinjtë. Kështu që, për ata që e praktikojnë këtë vit, ka disa të mira shëndetësore që mund të nxirren prej agjërimit nëse bëhet në mënyrën e duhur, dhe nëse ruhet një dietë e mirë jashtë kohës nga lindja deri në perëndim të diellit.
Me ditën e agjërimit që zgjat nga lindja e diellit deri në perëndim, energjia e trupit mund të zëvendësohet në dy vaktet në ditë që mund të kenë myslimanët. Eshtë e rëndësishme të merren ushqime nga të pesë grupet e mëdha ushqimore, dhe kjo do të orfojë një tranzicion më të mirë, se sa përdorimi i dhjamit për të djegur energjinë. Kjo do të thotë se mund të humbasësh peshë, mund të ruash muskujt, nivelet e kolesterolit mund të bien, dhe mund të kesh më shumë kontroll mbi diabetin dhe tensionin e gjakut.
Po kështu, disa ditë pas fillimit të Ramazanit, trupi nis të përshtatet me modelin e ri të ngrënies dhe pirjes, teksa në gjak shfaqen nivele më të lartë të endorfinës, gjë që i bën agjëruesit më të vëmendshëm, më të lumtur dhe u japin një ndjesi të përgjithshme të një shëndeti më të mirë mendor.
Në tërësi, myslimanët që zgjedhin të agjërojnë duhet të shmangin ushqime me shumë dhjamë dhe shumë të skuqur. Thyerja e agjërimit në iftar me pije qumështore dhe të ëmbla është e zakonshme, dhe ofron energjinë e shumëdëshiruar pas ditës së agjërimit. Të pirit e sasive të mëdha të ujit për ri-hidratim do të sigurojë rigjallërimin e trupit.