Balozi Agron Xhafaj komandant i përgjithshëm i bandave, ja pse nuk arrestohen bandat në Shkodër, Tiranë, Durrës

Ish-Kryeministri Berisha theksoi mbrëmjen e sotme se, me emërimin e Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm, komandanti i përgjithshëm i bandave në Shqipëri, u pranua balozi Agron Xhafaj.
“Kjo është një e vërtetë absolute. E gjithë bota e krimit, jo vetëm në Vlorë, të gjitha trafiqet, jo vetëm në Vlorë, por absolutisht edhe në Durrës dhe mbarë Shqipërinë, ishin nën pushtetin e Agron Xhafajt, sepse ai kishte ministrin. Nëse keni vënë re, Fatmir Xhafaj në 1 vit, përveç një grupi të arrestuar në Elbasan dhe grupit të 5 xixëllonjave, asnjë grupim tjetër nuk është kapur”, tha Berisha.
Në vijim ai shtoi se ka vrasës në Shkodër, ka banda në Durrës dhe Elbasan që dihen, dhe Fatmir Xhafaj nuk i arreston.
Berisha tha se njerëzve pranë PD-së i janë çuar mesazhe kërcënuese që të mos guxojnë të nxjerrin audio-përgjimin.
Ish-Kryeministri deklaroi se që nga 2015, PD ka ngritur problemet e dënimit të Agron Xhafajt, 7 apo 11 akuzat që rëndojnë mbi të.
“Familja Rama dhe Xhafaj janë ndër familjet më mafioze në Europë. Ata që dolën haptas dhe ballë për ballë kundër këtyre familjeve janë heronj, gazetari meriton medaljen më të lartë, ndërsa “Babalja” do të bëjë rolin e Edmond Dantesit, po hakmerret ndaj atyre që i kanë bërë të zeza”, tha Berisha.