Abramovich, Putin dhe viza e mohuar… çfarë po ndodh te Chelsi?!

Problemi i vërtetë gjatë orëve të fundit te Chelsea nuk është se kur do të vijë largimi i Antonio Conte, por kur do të jepet viza e re për t’u futur në Angli për Roman Abramovich. Miliarderi rus u largua nga Britania e Madhe përpara se t’i përfundonte viza, më 1 prill 2018. Ai është parë për herë të fundit në Londër, më 10 mars, në “Stamford Bridge”, duke parë Chelsea-Crystal Palace. Që nga ajo ditë, Abramovich nuk është parë në publik.
Avioni i tij privat, një Boeing 767, i njohur si “The Bandit”, është parë në Moskë, Nisë, Zyrih dhe Nju Jork. Në jug të Francës, ku ka edhe një vilë luksoze, Abramovich është në pritje të vizës angleze. Pa këtë leje, e cila quhet “Tier 1 visa”, niveli 1, me çmim bazë 10.500 paundë, e vlefshme për 40 muaj, rusi nuk mund të shkelë në Britaninë e Madhe.
Vonesa në dhënien e vizës, mbi të cilën as “Foreign Office”, as zëdhënësi për shtyp i Abramovich nuk kanë dhënë asnjë koment, nuk është e vështirë për t’u shpjeguar.
Marrëdhëniet mes Britanisë së Madhe dhe Rusisë janë më të tensionuara se kurrë, sidomos pas tentativës për të helmuar ish-spiunin Sergei Skripal, çka ka sjellë në sanksione reciproke. Qeveria britanike ka nisur menjëherë të kërkojë origjinën e rreth 700 miliarderëve rusë që janë rezidentë në Britaninë e Madh dhe që në shumicën e rasteve u bënë menjëherë shumë të pasur pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.
Procedura, sipas asaj që mësohet nga shtypi anglez, ka përfshirë edhe Abramovich, njeriu i 13-të më i pasur që jetonte në Angli me një pasuri totale prej 10.7 miliardë euro. Por ai nuk është vetëm një njeri i pasur me të kaluarën e dyshimtë, por gjithashtu është një nga njerëzit më të afërt të Vladimir Putin.

Marrëdhëniet mes Britanisë së Madhe dhe Rusisë janë shumë delikate dhe janë kthyer thuajse si në epokën e “luftës së ftohtë”. Të jesh mik, ose ortak i një lideri si Putin, me siguri që nuk është diçka e favorshme për Abramovich në Rusi. Nuk vihet aspak në diskutim se presidenti i Chelsea është mik i ngushtë i atij që u rizgjodh president i Rusisë më 18 mars, me 76% të votave.
Miqësia e tyre lindi në vitet ’90 dhe u konsolidua me kalimin e kohës. Në vitin 1999, Abramovich i dhuroi Putinit një anije me vlerë 50 milionë dollarë. Më pas, në vitin 2005, Abramovich i shiti kompaninë e tij të naftës një firme të shtetit rus, “Gazprom”, duke marrë rreth 15 miliardë euro.
Abramovich ka qenë një aleat i fortë i Putin në 20 vitet e fundit dhe pikërisht vonesa në dhënien e vizës së tij duket si një sinjal i qartë: dënohet Abramovich, edukohet Putin.
Në këtë skenar, çështja sportive te Chelsea del në plan të dytë. Klubi drejtohet nga Marina Granovskaia, prej 20 vitesh bashkëpunëtore e Abramovich. Granovskaia ka fuqi të plotë. Marrëdhënia e saj me Conte është e akullt dhe shkarkimi i trajnerit italian duke i pashmangshëm, por historia e vizës së pronarit rrezikon të shtyjë marrjen e vendimeve të mëdha.
Ka disa çështje për t’u zgjidhur: zgjedhja e trajnerit të ri dhe modalitetet e shkarkimit të Conte, i cili mbrohet nga një kontratë që skadon në qershor 2019, nga e cila përfiton 11 milionë euro. Conte aktualisht është me pushime dhe nuk ka lënë asnjë takim me drejtuesit e klubit.
Por sipas “The Guardian” problemi kryesor për Chelsea është një tjetër, dilema për Abramovich është që të vendosë nëse gjatë kësaj periudhe me probleme politike të rikthehet në Londër, apo të shesë Chelsea dhe të jetojë në Moskë.