Kulla e Tërmetit tek “Uji i Ftohtë” në Tepelenë

Kujdes, mos gaboni të rrisni shpejtësinë! Në kthesën e Ujit të Ftohtë në Tepelenë, rrezikoni të përfundoni në katin e tretë të një hoteli…
Nuk është një shaka, bëhet fjalë për ‘kompleksin’ më të ri që Bashkia Tepelenë ka vendosur të zhvillojë në shtratin e lumit Drinos.
Një hotel me 6 kate është ngritur me themelet në shtratin e një lumi, 2 metra larg rrjedhës së ujit, pak metra larg rrugës nacionale.
Investitori Idajet Hysa, pronari i një bar-restoranti në zonë, është i njohur për përplasjen e vjeshtës së kaluar me tregtarët ambulantë që ushtronin aktivitetin në zonën e Ujit të Ftohtë.
Leja e ndërtimit u dha nga Bashkia Tepelenë 1 muaj para zgjedhjeve qendrore të vitit 2017, përkatësisht në 26 prill 2017.
Vetëm pak metra nga burimi i Ujit të Ftohtë, i shpallur monument natyre është ngritur një ‘kullë’ e projektuar nga Sfera Studio, pronar i të cilës është Daniel Gjoni, i njohur për bashkëpunimin me Artan Shkrelin, zv/ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës në qeverinë Rama 2.
Shkreli është i njohur për hartimin e vizionit urbanistik të Edi Ramës kryebashkiak, në fillim të viteve 2000.
Investimi kap vlerën e 2 milionë eurove dhe punësimin e mbi 50 personave, informon Bashkia Tepelenë.
Projekti për “shtëpi” druri përfundon në armaturë betoni…
Ndërtimi i këtij hoteli në shtratin e një lumi, në projektin fillestar të afishuar nga “Sfera Studio” paraqitet si një shtëpi eko-miqësore prej druri, me 2 kate nëntokë me destinacion bar dhe restorant, por në fakt, pamjet tregojnë qartë armaturën e betonit ngritur në një skelet prej 6 katesh, ku betonieret vazhdojnë punën.

Në shkelje të legjislacionit për menaxhimin dhe mbrojtjen e burimeve ujore të vendit për ndërtimet në sipërfaqet ujore, përkatësisht mbi shtratin e lumit, Bashkia Tepelenë ka nisur një projekt për ngritjen e një hoteli që më shumë se sa turizmit ka gjasa t’i shërbejë privatit.
Në ligjin “Për menaxhimin e burimeve të integruara ujore” parashikohet se shtretërit e lumenjve janë të mbrojtur.
Ndërtimet në brigje vetëm për qëllime publike, caktohen rast pas rasti nga organet e menaxhimit të burimeve ujore.
Ligji “Për menaxhimin e burimeve të integruara ujore”, neni 44 thotë:
“Organet e administrimit dhe menaxhimit të burimeve ujore lëshojnë autorizim të posaçëm për ushtrimin e veprimtarive ndërtimore në brigje, vetëm për qëllime publike. Veprimtaritë për qëllime publike përcaktohen rast pas rasti nga organet e menaxhimit të burimeve ujore.”
Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një ndërtim në bregun e një lumi, por në shtratin e tij.
Cili ka qenë organi shtetëror që ka vendosur se për qëllime publike vlen të ndërtohet një hotel 6 katësh në këtë zonë?
Qeveria shqiptare vendosi të tërhiqej nga ndërtimi në Kanionet e Osumit, pas reagimit qytetar për cënimin e një zone me rëndësi të veçantë natyrore, ndërsa në një rast si ky i ndërtimit të një hoteli betoni në një shtrat lumi të gjitha institucioneve “u ka ikur zëri”.
Ky projekt, në emër të zhvillimit turistik të zonës, me përfitues një biznesmen privat, rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm në dëm të brigjeve e të lumenjve, përsa kohë që legjislacioni për mbrojtjen e tyre është ende i paplotë dhe lë shkas për interpretime.
/Faxweb.al/