Degradimi i spitaleve, kosto tetë herë më të larta për pacient se QSUT

233

Spitalet bashkiake të braktisura nga mjekët specialistë dhe vendasit u kushtojnë taksapaguesve shqiptarë disa herë më shtrenjtë për çdo pacient të trajtuar sesa spitalet universitare të Tiranës, skemë kjo që sipas ekspertëve ekspozon buxhetet fiktive dhe një sërë problematikash në administrimin e sistemit shëndetësor. I ndërtuar në të dalë të qytetit, spitali i Peqinit i ngjan një karakatine 4-katëshe të braktisur. Në recepsion dyert janë të shqyera. Në urgjencë mungon energjia elektrike dhe pacientëve u duhet të kalojnë përmes një korridori të errët për të mbërritur në njërën prej tre dhomave me shtretër hekuri dhe harta lagështie në mure. Pavioni i patologjisë në katin e dytë është gjithashtu i zbrazur. Ndonëse është një ditë e zakonshme pune, dera e zyrës së mjekut të vetëm patolog, Ilir Rrushi është e mbyllur dhe mbi të është ngjitur për çdo rast numri i tij i telefonit. Rrushi përbën gjysmën e organikës së mjekëve specialistë të spitalit të Peqinit, i cili supozohet të trajtojë me shërbime shëndetësore rreth 38 mijë banorë të zonës. Gjysma tjetër përbëhet nga mjekja gjinekologe, Burbuqe Ajazi, e cila ka mbushur moshën e pensionit katër vite më parë, vazhdon të drejtojë pavionin gjithashtu të zbrazur të Gjinekologjisë. Kushtet e mjerueshme dhe mungesa e mjekëve specialistë i ka detyruar banorët e Peqinit që të braktisin spitalin e tyre dhe të udhëtojnë dhjetra kilometra në drejtim të Elbasanit, Lushnjës apo Tiranës për të marrë shërbimet e duhura mjekësore.

Një fakt i tillë pranohet edhe nga nëndrejtori i spitalit, Agim Bahja. “Që në vitin 2005, për shkak të mungesave në ekipin mjekësor nuk kemi pasur asnjë pacient të shtruar”, tha Bahja për BIRN, duke nënvizuar se shërbimi i këtij spitali është kufizuar vetëm në dhënien e ndihmës së parë. E megjithatë, trajtimi i një pacienti në spitalin e Peqinit i kushton taksapaguesve shqiptarë 8 herë më shumë se sa trajtimi në spitalet universitare të Tiranës. Shërbimi spitalor në vend përbëhet nga 5 spitale universitare, 11 rajonale dhe 24 spitale bashkiake, të cilat sipas Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, FSDKSH morën së bashku një buxhet prej 17.8 miliardë lekësh për vitin 2016. Një analizë e Fondit tregon se, kostoja mesatare e trajtimit për pacient varion nga 37.7 mijë lekë në spitalet rajonale në 48.1 mijë lekë në spitalet bashkiake. Në pesë spitalet universitare të Tiranës kostoja është mesatarisht 40.4 mijë lekë për pacient. Paradoksalisht, spitale të ngjashme me atë të Peqinit kanë kosto deri në 10 herë më të larta se, mesatarja e trajtimit për pacient. Në krye të kësaj liste gjendet spitali i Mallakastrës, i cili u financua nga Fondi i Sigurimeve me 430 mijë lekë për pacient në vitin 2016, i ndjekur nga spitali i Peqinit me 335 mijë lekë dhe spitali i Delvinës me 243 mijë lekë për pacient. Luhatja e madhe e kostove për pacient nxjerr në pah anomalitë e financimit të sistemit spitalor në Shqipëri, që sipas ekspertëve të intervistuar nga BIRN vazhdon të bëhet mbi baza historike dhe në anashkalim të treguesve të performancës apo nevojave të pacientëve.

Degradimi i spitaleve bashkiake

Parimi i financimit të shërbimeve spitalore synon të balancojë tregues të tillë si eficenca, kostoja dhe cilësia e shërbimit mjekësor. Numri i pacientëve apo shfrytëzimi i shtretërve nëpër spitale janë gjithashtu pjesë e këtij vlerësimi si tregues të efektivitetit. Për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ndryshimi i mënyrës së financimit duhet të paraprihet nga ndryshime të tjera që lidhen me cilësinë e shërbimeve, implementimin e protokolleve të miratuara të mjekimit apo vendosjen e standardeve që lidhen me pajisjet dhe burimet njerëzore. Ndryshime të tilla duken utopi për sistemin spitalor në Shqipëri. I lënë prej vitesh në mëshirë të fatit dhe me dy mjekë specialistë, spitali i Peqinit i ka reduktuar shërbimet e veta vetëm në dhënien e ndihmës së parë. Megjithatë, spitali numëron në borderonë e vet 44 punonjës gjithsej, ç’ka shpjegon edhe kostot e larta të trajtimit për pacient. Nëndrejtori Bahja i tha BIRN se, spitali tashmë funksionon më së shumti si urgjencë dhe në një vit numëron 6 mijë raste të dhënies së ndihmës së parë për banorët e zonës. “Në zonë e dinë që nuk ka mjek specialist ndaj dhe qytetarët i drejtohen spitaleve të Elbasanit dhe Lushnjës. Kjo ka vite që ndodh tek ne”, shtoi ai. Spitali i Peqinit nuk është i vetmi në këtë gjendje. Një studim i realizuar nga organizata “Together For Life” tregon mungesa të theksuara në mjekë specialistë, infrastrukturë apo medikamente në tetë prej spitaleve rajonale në vend. Drejtoresha ekzekutive e “Together for Life”, Eglantina Bardhi i tha BIRN se, për shkak të këtyre problemeve kronike, qytetarët thuajse i kanë braktisur totalisht spitalet bashkiake. “Shkaqet kryesore janë keqmenaxhimi i sistemit shëndetësor, buxheti i pamjaftueshëm dhe korrupsioni i lartë.

Për këto arsye, pacientët janë të detyruar të ndeshen me mungesa barnash, mungesa analizash dhe ekzaminimesh, mungesa të mjekëve specialistë, etj”, tha Bardhi. “Të gjitha këto sjellin një fenomen tjetër, duke i përplasur këta pacientë nga rrethet në spitalet terciare, kryesisht në QSUT”, shtoi ajo. Petrit Vasili, kryetar i Grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, i cili ka mbajtur më parë edhe postin e ministrit të Shëndetësisë, i tha BIRN se buxhetimi i shërbimit spitalor në vend bëhet në mënyrë fiktive, ç’ka sipas tij shpjegon edhe diferencat e mëdha të kostove nga rrethet në Tiranë. “Ato janë transferime të karakterit historik, pra janë buxhete fiktive që nuk janë bazuar mbi performancën dhe nevojën e qendrave spitalore, por janë bazuar mbi buxhete historike që tradicionalisht u janë dhënë spitaleve dhe aq vijojnë t’u jepen”, shtoi Vasili. Vasili kritikon politikat qeveritare mbi shëndetësinë, që sipas tij kanë krijuar kaos dhe konfuzion në administrim e sistemit spitalor. “Financimi sigurohet nga buxheti i shtetit dhe sigurimet shëndetësore, ndërkohë që kemi politika qeveritare që flasin për një shëndetësi falas. Kjo ka krijuar vetëm kaos dhe një konfuzion të madh, pasi instrumentet janë të tjera dhe propaganda është tjetër”, tha Vasili për BIRN.

Kritika të forta për qeverinë ka edhe deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, e cila e krahason gjendjen aktuale të spitaleve bashkiake me spitalet e luftës. “Qeveria i ka lënë spitalet rajonale dhe bashkiake në mëshirë të fatit. Pothuajse, në çdo spital sheh mure plot lagështi, pajisje e krevate të ndryshkura, dollapë të prishur, ku nuk ka as alkool, as pambuk dhe as shiringa. Në një pjesë të mirë të spitaleve mungojnë mjekët e specializuar. Praktikisht është pothuajse e pamundur të marrësh shërbim mjekësor e aq më pak shërbim të specializuar”, tha Vokshi. “Nëse 400 milionë euro nuk do të shkonin për 4 klientë dhe sponsor të kryeministrit dhe qeverisë, po do shkonin për furnizim me barna e pajisje spitalesh, për rroga më të larta e për shpërblime të stafit mjekësor, sot gjendja nuk do ishte ajo që paraqitet në raportin e Fondit”, shtoi Vokshi. BIRN kontaktoi me disa deputetë të Partisë Socialiste në Komisionin parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, por asnjëri prej tyre nuk pranoi të jepte komente mbi skemën e financimit të spitaleve në vend.