UEFA e shqetësuar për kapjen e Federatës së Futbollit nga qeveria

Ka mbërritur në Tiranë zv/Presidenti i UEFA-s, Grigori Surkis i cili në axhendën e tij ka patur takime me zyrtarë të lartë të vendit, duke filluar nga ai me kryeministrin e vendit, Edi Rama, që në orën 9 të mëngjesit. Zgjatja e takimit për më shumë se një orë me kryeministrin i ka prishur axhendën zv/Presidentit të UEFA-s, duke i humbur takimin e dytë, atë me Presidentin e Republikës, Ilir Meta.

Për këtë arsye ai i është drejtuar më pas zyrave të Federatës Shqiptare të Futbollit për të takuar Presidentin e saj, Armand Duka. Takimi me Dukën ishte shumë më i shkurtër sesa ai me kryeministrin e vendit, të cilin vetë zv/Presidenti i UEFA-s e konsideroi si një ndeshje që shkoi me shtesë, madje edhe me penallti.

“Në radhë të parë dua të them se delegacioni ynë erdhi në Shqipëri për të dhënë instruksionet e Presidentit të UEFA-s, Aleksandër Ceferin. Më herët, takuam kryeministrin e vendit, një ndeshje prej 90 minutash, por që shkoi me kohë shtesë dhe penallti. Besoj se e dëgjuam njëri-tjetrin dhe sqaruam pozitat tona. Vizita jonë u bë pasi na erdhën informacione që flisnin për një tentativë të mundshme të ndërhyrjes së politikës në zgjedhjet e Federatës. Kemi vetëm një qëllim: të theksojmë edhe një herë principet e UEFA-s për zgjedhje të lira, principe që nuk lejojnë ndërhyrjen e njësive të treta. Kjo ishte për sot. Ndamë opinione. Shpresoj dhe besoj se na keni dëgjuar. Delegacione nga FIFA dhe UEFA do të jenë të pranishme në Shqipëri në Asamblenë e Përgjithshme të 7 shkurtit. Nëse zgjedhjet do të mbahen në mënyrë të lirë dhe demokratike, ne do të urojmë fituesin”, deklaroi Surkis.

Sa i përket zgjedhjeve për organet drejtuese të Federatës Shqiptare të Futbollit që do të zhvillohen më 7 shkurt, procesi do të monitorohet nga 4 delegatë të UEFA-s dhe FIFA-s.