Theresa May për vizitë në Kinë

Kryeministrja britanike Theresa May ndodhet në Kinë për një vizitë tre-ditore, që ka për qëllim forcimin e lidhjeve ekonomike me gjigantin aziatik, përpara se vendi të dalë nga Bashkimi Europian vitin e ardhshëm.
Zonja May mbërriti të mërkurën në qytetin industrial të Wuhanit, para se të vizitojë Pekinin, për bisedime me Kryeministrin Li Keqiang.
Ajo shoqërohet nga dhjetëra biznesmenë britanikë, që synojnë të zgjerojnë aktivitetin e tyre në vendin me ekonominë e dytë më të madhe në botë.
Të enjten, Kryeministrja May pritet të takohet me Presidentin Xi Jinping në Pekin, duke i dhënë fund vizitës të premten, në qendrën financiare të Shangait.
Në të kaluarën, Kryeministrja britanike ka qenë e kujdesshme në qasjen ndaj investimeve kineze. Ajo shkaktoi zemërim në Pekin në vitin 2016, kur vendosi të vonojë përkohësisht miratimin e një centrali bërthamor të financuar nga kinezët në Jugperëndim të Anglisë.