Tahiri e nxori drogën me autoblinda nga Lazarati dhe ua shiti trafikantëve

Akuza të forta janë bërë dje ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri në sallën e Gjyqit tek Krimet e Rënda. I akuzuari Arbjon Aliko, duke folur në gjyq për aksionin e policisë në Lazarat të zhvilluar në vitin 2014, ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj Tahirit. Aliko u shpreh në sallën e gjyqit se, droga e gjetur në Lazarat nuk është shkatërruar, por u nxor me autoblinda nga Lazarati dhe u është shitur trafikantëve nga policia. Ai ka akuzuar Tahirin si personin që i ka sulmuar.
“Policia e Shtetit e nxorri drogën nga Lazarati me autoblinda. Më pas, policia ua ka shitur drogën trafikantëve. Këtë e ka bërë Saimir Tahiri me banditët e tij”, tha në sallën e gjyqit Arbjon Aliko.
‘Sapo PS ka ardhur në pushtet ne na kanë sulmuar si fis’, ka thënë më tej Arbjon Aliko, i cili është i arrestuar si pjesë e asaj që Ministria e Brendshme e quante ‘grupi i zjarrit’.
Policia e Shtetit zhvilloi një operacion të gjerë në qershor të vitit 2014 për shkatërrimin e kanabisit. Policia ushtroi dhunë dhe terror ndaj qytetarëve të pafajshëm, duke bastisur edhe banesat. Policia me urdhër të Ramës dhe Tahirit goditi Lazaratin në vitin 2014 për të kanabizuar të gjithë vendin. Zona me plantacionet më të mëdha të kanabisit ishte Vlora dhe Tepelena, ku vetë Tahiri me bandën e Habilajve mbanin nën kontroll plantacionet e drogës.
Nga përgjimet e Prokurorisë së Katanias rezultoi se Moisi Habilaj, i arrestuar në Itali bashkëpunonte me Tahirin në trafikun e drogës drejtItalisë. Gjatë bisedave telefonike, Habilaj shprehej se i jepte Tahirit 5 milionë euro për çdo ngarkesë droge që nisej drejt Italisë.
Një ditë më parë, Prokuroria e Katanias përfundoi hetimet ndaj grupit të Habilajve dhe e dërgoi dosjen në Gjykatë. Mediat italiane shkruanin se çështja që ka trazuar politikën shqiptare është mbyllur nga Prokuroria e Katanias dhe të akuzuarit pritet të dalin përpara Gjykatës. “Një tregti e paligjshme e narkotikëve që ka hedhur hije përfshirë edhe politikën, për aftësinë e institucioneve shqiptare në lidhje me parandalimin e trafikut ndërkombëtar të drogës. Prokuroia e Katanias ka gjetur lidhjet familjare mes kreut të bandës Moisi Habilaj dhe ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

52 vite burg të pandehurit e “Lazaratit”

Gjykata për Krime të Rënda dha dje dënimet për 5 të pandehurit e dosjes “Lazarati”. Mes të pandehurve spikat emri i Arbion Alikos, i cili u dënua me 13 vite heqje lirie për kundërshtim me armë të operacionit të policisë në fshatin që dikur ishte bastion kultivimi masiv i kanabisit.
Përveç Alikos, ndaj të cilit ka edhe një proces të dytë për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha, dje Gjykata e dënoi me 11 vjet Gurgaz Skënderin, ndërkohë që për Enrik Skënderin dhe Alfred Prokon u dhanë nga 10 vjet heqje lirie. Ndërsa i pandehuri, Beqo Brahimi, u dënua me 8 vjet burg.
Në momentin kur gjyqtarja, Flora Hajredini, ka qenë duke artikuluar dënimet për 5 të pandehurit, të cilët në shenjë proteste kanë thyer solemnitetin e sallës së gjyqit, duke u ulur ndërkohë që shpallej vendimi.
Prokuroria e Krimeve të Rënda gjatë pretencës për të pandehurit e dosjes “Lazarati” kërkoi dënimin me 11 vite burg për shtetasin Enriko Skënderi, 8 vite burg për Beqo Brahimajn, për Albion Alikon, kërkohen 14 vite burg, ndërsa për Alfred Prokon kërkohen 11 vite burg. Gjithashtu, Prokuroria ka kërkuar 13 vite burg për Burgaz Skënderin.
Edhe më herët gjatë seancës së djeshme, Arbion Aliko, në fjalën e mbrojtjes së bërë prej tij, lëshoi akuza të ashpra ndaj policisë. Sipas Alikos, uniformat blu i kanë shpallur luftë fisit të tij dhe se pas ndërhyrjes në fshat droga e sekuestruar ka dalë nga Lazarati me autoblinda për t’iu shitur narkotrafikantëve.