Spaho: Të futet në rend dite ekstradimi i Nezar Seitaj

Kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi nuk lejoi dje kryetarin e Grupit parlamentar të PD, Edmond Spaho, që të fliste në seancë plenare në lidhje me skandalin e ekstradimit të Nazer Seitit, financierit të Habilajve dhe dëshmitarit kyç të dosjes së tyre. Pasi i hoqi të drejtën e fjalës, deputetët e opozitës protestuan, duke u ngritur në këmbë dhe duke rrethuar foltoren. Në këtë moment, Ruçi në shenjë hakmarrjeje ndërpreu punimet. Më pas, kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho ka reaguar në një deklaratë me gazetarët duke thënë se, Gramoz Ruçi e përdor pozicionin e tij, sikur e ka Kuvendin pronë personale.
“Kërkova fjalën për procedurë që të futej në rend dite ekstradimi i Nezar Seitaj. Unë do flisja në emër të Grupit parlamentar, por Ruçi nuk më lejoi të flisja. Është në vazhdën e të gjitha përpjekjeve për të mbyllur dosjen e Saimir Tahirit dhe Habilajve, e filluan me kapjen e Kryeprokurorit të Përkohshëm, të Prokurorit të Tiranës, Durrësit për të krijuar kushte të përshtatshme për të ekstraduar Nazer Seitajn. Ai është me proces të hapur në Shqipëri, por ata në mënyrë kriminale e ekstraduan në Itali në mënyrë që të mos dëshmojë nga frika, sepse do të nxirreshin bashkëpunëtorët që fillojnë nga Saimir Tahiri, tek Edi Rama”, tha Spaho.
“Ne do ta vazhdojmë këtë betejë, është beteja e opozitës. Ne do të jemi këtu sa kohë që këta të vazhdojnë në këtë rrugë dhe do të na kenë përballë dhe do të përplasen alternativat me qëndrimin tonë. Do të përdorim të gjitha format dhe mjetet për t’iu kundërvënë kësaj bande. Aksioni i sotëm vazhdoi me frymën e protestës, kështu do të vazhdojë edhe në ditët e tjera, madje duke intensifikuar formën e aksionit tonë”.