Rinovim nëse ka vend për përmirësim

NAPLES, ITALY - SEPTEMBER 17: Napoli's coach Maurizio Sarri looks on during the UEFA Europa League match between Napoli and Club Brugge KV on September 17, 2015 in Naples, Italy. (Photo by Francesco Pecoraro/Getty Images)

Napoli fiton në fushën e Beneventos, i përgjigjet Juventusit dhe fluturon në 60 pikë. Ky është ekipi i tretë në historinë e Seria A, që arrin këtë nivel pas 23 javëve kampionat. Po ashtu, ky është rezultati më i mirë ndonjëherë në këtë pikë të kampionatit, i arritur nga klubi blu, me të cilin Sarri ka tejkaluar çdo rekord, tashmë të jashtëzakonshëm. Reina dhe shokët e skuadrës kanë mbrojtjen më të mirë të Seria A, me vetëm 14 gola të pësuar. Në Europë, vetëm Barcelona (11 gola) dhe Atletico Madrid (9 gola) kanë bërë më mirë në këtë drejtim. Maurizio Sarri është autor i kësaj performance të jashtëzakonshme dhe në ditët e fundit, Aurelio de Laurentiis ka bërë të ditur një takim të ardhshëm me trajnerin, që të rinovojë kontratën e tij. Marrëveshja e re parashikon një rritje të konsiderueshme në pagë dhe anulimin e klauzolës së lirimit prej 8 milionë euro. Rinovimi i Sarrit duket se do të bëhet me pothuajse trefishimin e pagës aktuale, nga 1.4 milionë në vit në rreth 4 milionë, për ta pasur fatin e trajnerit tërësisht në duar, në kohën kur për të kanë filluar sirenat europiane, me Chelsea në vendin e parë.
Megjithatë, pasi fitoi ndeshjen në Benevento, Sarri e vuri këmbën e tij në “frena”, duke ngritur një pyetje specifike në tavolinë, e cila shkon përtej parave. “Rinovimi është mendimi i fundit që më vjen në kokë. Kontrata është aty, bashkë me klauzolat. Presidenti do të rinegociojë atë, por e vetmja klauzola që ka rëndësi është se unë nuk e konsideroj të mbaruar misionin te Napoli. Nëse konsideroj se cikli mund të vazhdojë, atëherë nuk ka asnjë problem. Pavarësisht ecurisë mjaft të mirë, ka ende vend për përmirësime. Në qytet ka një dashuri të ndërsjellë, çka do të jetë një nga arsyet vendimtare për të vendosur. Për mua ka shumë rëndësi t’i jap gjithçka këtij populli… Do të luftoj. Nëse cikli vazhdon, nuk del asnjë problem. A flas anglisht? Kam studiuar 30 vite më parë dhe do të më duhet t’i freskoj njohuritë…”.