Përleshja në Bashki, forcat speciale rrethojnë Peshkopinë

Një ditë pas ngjarjes së një sherri të dhunshëm në Bashkinë Dibër, burime bëjnë të ditur se kjo që ka ndodhur ka sjellë një situatë të tensionuar në qytet. Po të njëjtat burime pohojnë se, zanafilla e këtij problemi ka nisur që në zgjedhjet e fundit vendore.
Ndërsa gjatë kësaj të enjteje kreu i Bashkisë, Muharrem Rama dhe drejtori i Burimeve Njerëzore në Bashkinë e Dibrës, Drini Mataj, lëvizin me shoqërues. Në Dibër mësohet se kanë mbërritur që mëngjesin e kësaj të enjteje dy furgona me efektivë të FNSH-së nga Tirana.
Nga mëngjesi i sotëm kreu i Bashkisë Rama ka qenë në Komisariatin e Dibrës, ku ka qëndruar nga ora 8:00 deri në orën 10:30. Një ditë pas sherrit me grushte në Bashkinë e Dibrës dyert e Bashkisë janë të mbyllura, ndërsa institucioni vendor është hermetik për informacion.
Burime bëjnë të ditur se nënkryetari i Bashkisë, Ilir Vraniçi ka zhvilluar një mbledhje me administratën e Bashkisë mëngjesin e të enjtes.
Ndërkohë mbrëmjen e të mërkurës, Policia e Dibrës raportoi për arrestimin në flagrancë të Ernolt Cani, 34 vjeç, nga Peshkopia, me detyrë zv/Kryetar i Bashkisë Dibër, për veprën penale të “Goditjes për shkak të detyrës, më shumë se një herë, të kryer në bashkëpunim”.
Policia shpalli në kërkim edhe një person tjetër, ndërsa arrestimi i Canit sipas policisë u bë, pasi rreth orës 09:05, të së mërkurës kur ai në bashkëpunim me një tjetër person aktualisht i shpallur në kërkim kanë goditur me sende të forta për shkak të detyrës në zyrën e tij drejtorin e Burimeve Njerëzore në Bashkinë Dibër, Drini Mataj. Në këtë ngjarje mbetën të plagosur 4 persona që morën kujdesin mjekësor në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.