Norma e interesit të lekut, BSH mund të ndryshojë “kurs” drejt rritjes në fund të 2018-ës

Banka e Shqipërisë vlerëson se politika monetare lehtësuese ka dhënë efektet e saj me një rritje të kreditimit në lekë dhe intensiteti i kësaj politike nuk pritet të zbehet para fundit të 2018. Edhe pse i “koduar” mesazhi i Bankës duket se lidhet me një mundësi të rritjes së normës së interesit për lekun, kur prej vitesh ajo ka hyrë në një cikël rënës të imponuar nga Banka Qendrore në përpjekje të nxitjes së investimeve dhe ekonomisë. “Në bazë të informacionit të disponuar Banka e Shqipërisë vlerëson se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e objektivit tonë dhe intensiteti i stimulimit monetar nuk do të zbehet përpara tremujorit të katërt të 2018. Edhe më tej politika monetare do të vazhdojë të mbetet në kahun stimulues gjatë gjithë horizontit afatmesëm për të siguruar konvergimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv”, vlerësoi BSH në prezantimin e raportit të Politikës Monetare për tremujorin e parë 2018.

Rritet kredia në lekë

Politika monetare lehtësuese sipas Bankës së Shqipërisë është përcjellë në sektor duke dhënë interesa më të ulëta të kredisë, por ecuria totale e kreditimit edhe pse pozitive ka qenë e moderuar. “Kjo politikë ka reduktuar normat e interesit dhe primet e rrezikut në tregjet financiare. Portofoli i kredisë në lekë u rrit mesatarisht me 9.5 për qind gjatë 2017 dhe pesha e tij përfaqëson rreth 47.1 për qind të kredisë totale.
Me gjithë ecurinë pozitive, financimi i sektorit privat vazhdon të rritet, vazhdon të rritet me norma të moderuara në reflektim të kredisë ende të dobët si dhe të kushteve ende të shtrënguara të kreditimit. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik pritet të shoqërohet me një kërkesë të shtuar cilësore për kredi. Në vlerësim sistemi bankar është në gjende për të përballuar me likuiditet nevojat e një ekonomie në rritje. Ai mbetet i shëndetshëm i mirëkapitalizuar dhe likuid. Rreziku i kredisë ka ardhur në rënie siç ilustrohet nga rënia e raportit të kredive me probleme ndaj totalit të kredisë në nivelin 13.2 për qind në 2017”, vlerëson BSH.

Rritja ekonomike dhe inflacioni

Inflacioni mesatar ka shënuar nivelin 1.8 për qind në tremujorin e katërt të 2017-ës. Kryesisht sipas Bankës së Shqipërisë kjo është ndikuar nga çmimi i qirave dhe lëndët djegëse. Për gjithë 2017-ën inflacioni mesatar ishte 2 për qind nga 1.3 për qind që ishte në 2016-ën. “Inflacioni mbetet nën objektivin tonë prej 3 për qind në prani të shfrytëzimit jo të plotë të kapaciteteve prodhueseve të presioneve të ulëta inflacioniste nga tregjet e huaja dhe të nivelit të ulët të pritjeve të inflacionit”, vlerëson Banka.
Nga ana tjetër, duke marrë në analizë rritjen ekonomike, në tremujorin e tretë ajo regjistroi nivelin 3.55 për qind, duke u ngadalësuar kundrejt normës 3.9 për qind të shënuar në gjashtëmujorin e parë. “Ky ngadalësim erdhi nga ulja e rritjes së investimeve nga zgjerimi i deficitit të tregtisë me jashtë, si dhe nga reduktimi i impulsit fiskal. Nga ana tjetër, konsumi privat vijon të rritet, duke dhënë kontributin kryesor në zgjerimin e aktivitetit ekonomik. Të dhënat e disponuara tregojnë vazhdimin e këtyre tendencave dhe në tremujorin e katërt të vitit 2017.
Parashikimet tona sugjerojnë se, ekonomia do të rritet gjatë horizontit afatmesëm e ndihmuar nga përmirësimi i ambientit të huaj dhe nga kushtet e favorshme të financimit në vend. Shfrytëzimi më i plotë i kapaciteteve prodhuese, rritja e presioneve inflacioniste nga jashtë dhe ankorimi më i mirë i presioneve inflacionit afatmesme do të krijojë premisa për forcimin e presioneve të përgjithshme inflacionit. Banka e Shqipërisë parashikon se inflacioni do të kthehet në objektiv brenda vitit 2019”, thekson BSH.